Në futboll, disa lloje negociatash nuk zhvillohen vetëm në zyra, mes kontratash dhe shifrash, por edhe në fushë, në stërvitje dhe në marrëdhëniet njerëzore. Rasti i rinovimit të Mike Maignan me Milanin i përket pikërisht kësaj kategorie. Një dosje e ndërlikuar, e mbushur me tensione, keqkuptime dhe një verë ku ndarja dukej e pashmangshme.
E megjithatë, sot, diçka ka ndryshuar. Klima rreth portierit francez është më e qetë, fjalët janë më të buta dhe dialogu, dikur i ngrirë, ka nisur të lëvizë. Në qendër të kësaj lëvizjeje qëndron Massimiliano Allegri. Ai që publikisht ka minimizuar rolin e tij, por që në realitet po punon prapa skenave për të bërë atë që dukej thuajse e pamundur: ta çojë Maignan drejt firmës së re.
Allegri dhe vera vendimtare: kapitani i blinduar në momentin kritik
Rreth një muaj e gjysmë më parë, pas ndeshjes me Romën dhe penalltisë së pritur ndaj Dybala-s, Allegri ishte i prerë:
“Unë nuk e kam bindur fare Maignan të qëndrojë. Merita është e Claudio Filippit dhe e klubit”.
Një deklaratë elegante, por jo plotësisht e vërtetë. Sepse faktet tregojnë se Max kishte një rol vendimtar në verë, në momentin më delikat.
Ndërkohë Mike i kishte thënë “po” kërkesës Chelsea. Nëse do të varej vetëm nga dëshira e tij, sot do të mbante veshur fanellën blu. Marrëveshja u prish vetëm sepse Milan dhe Chelsea nuk gjetën akordin për kartonin.
Pikërisht aty ndërhyri Allegri, duke u përfshirë personalisht për të blinduar portierin dhe për ta mbajtur në Milano.
Fascia e kapitenit, një trashëgimi që Max e gjeti me ardhjen e tij, nuk u vu kurrë në diskutim. Përkundrazi, Allegri e forcoi rolin e Maignan si lider, duke ndërtuar një raport besimi që sot po rezulton vendimtar.
Dialogu i ngrirë dhe puna në heshtje e Max
Marrëdhënia mes Maignan dhe drejtuesve të klubit kishte hyrë në një fazë të rrezikshme. Pas një oferte të parë për rinovimin, e cila më pas u rishikua në ulje nga Via Aldo Rossi, portieri francez e “ngriu” dialogun. Një situatë e papranueshme për të, që e konsideroi si mungesë respekti.
Këtu hyn sërish Allegri. Pa presion, pa deklarata publike dhe pa ndërhyrje të rënda, trajneri ka punuar për të rihapur kanalet e komunikimit. Jo duke folur vazhdimisht për kontrata – sepse një trajner i mençur flet kryesisht për futboll – por duke krijuar një ambient ku lojtari të ndihej sërish në qendër të projektit.
Roli i Max-it është bazik pikërisht sepse dialogu mes Maignan dhe klubit, në një moment, nuk ishte më dialog. Ishte thjesht heshtje. Dhe Allegri, me autoritetin dhe përvojën e tij, ka ndihmuar që ajo heshtje të mos shndërrohej në ndarje të sigurt.
Pakti, Filippi dhe fjalët që ndryshojnë skenarin
Në fillim të sezonit, Maignan dhe Milani kishin bërë një pakt të heshtur: të shkonin përpara së bashku, me seriozitet maksimal, pavarësisht kontratës në skadencë. Nga ana sportive, klubi ishte i qetë, duke njohur profesionalizmin e portierit. Por në sfond, ndarja me parametër zero dukej thuajse e pashmangshme.
Pastaj erdhi puna e përditshme. Mike nisi të punojë me Claudio Filippi, trajnerin e portierëve që Allegri e kishte pasur edhe te Juventusi. Mes tyre lindi menjëherë një intesë e veçantë. Maignan u ndje i kuptuar, i menaxhuar dhe i përmirësuar.
Paralelisht, francezi pa një Milan ndryshe nga ai i sezonit të kaluar: më i qetë, më i organizuar, më “familjar”. Dhe kjo u reflektua edhe në fjalët e tij publike, në vigjilje të Superkupës ndaj Napolit:
“Këtë vit jemi më shumë skuadër, më shumë familje. Ka ndryshuar shumë, trajneri dhe stafi kanë sjellë qetësi”.
Fjalë të forta, që pasohen nga lavdërime të hapura për Filippin:
“Ka shumë përvojë, gjakftohtësi dhe di të menaxhojë grupin e portierëve. Me njerëz të tillë puna bëhet më e lehtë. Ndihem shumë mirë me atë që më propozon në stërvitje, me mënyrën si menaxhon karakterin tim. Jam i lumtur”.
Por a do të mjaftojë kaq për të arritur te firma? Askush nuk mund ta thotë me siguri. Dosja Maignan mbetet e vështirë dhe kërkon ende kompromise. Por një gjë është e qartë: sot, ndryshe nga disa muaj më parë, ekziston sërish një shteg.
Dhe nëse ky shteg do të çojë drejt rinovimit, një pjesë e madhe e meritës do t’i takojë Massimiliano Allegrit. Jo për fjalët publike, por për punën në heshtje. Për aftësinë për të mbajtur bashkë një lider, një ambient dhe një projekt. Sepse ndonjëherë, trajnerët më të fortë nuk janë ata që flasin më shumë, por ata që dinë kur dhe si të ndërhyjnë.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
