Në klubin e rrugës Aldo Rossi ora po troket me ritëm gjithnjë e më të shpejtë. Merkatoja dimërore po hyn në fazën e saj vendimtare dhe Milani nuk dëshiron të gjendet i papërgatitur. Giorgio Furlani, Geoffrey Moncada dhe Igli Tare janë në punë të përditshme, mes telefonatave, takimeve dhe analizave të fundit, për t’i dhënë Massimiliano Allegrit një skuadër edhe më konkurruese për pjesën e dytë të sezonit.
Objektivi është i qartë: rritja e cilësisë teknike dhe thellësisë së organikës. Pa revolucione, por me ndërhyrje të synuara. Livornezi në stol ka bërë kërkesat e tij: një mbrojtës qendror për të blinduar repartin dhe, nëse paraqitet mundësia e duhur, edhe një i jashtëm i djathtë për të plotësuar mozaikun taktik. Në sulm, të paktën për janarin, dera duket e mbyllur. Por vetëm në dukje.
Emergjenca Gimenez dhe përgjigjja e menjëhershme: Fullkrug
Dëmtimi i rëndë i Santiago Gimenez, i operuar në kavilje dhe i detyruar të qëndrojë jashtë fushave deri në fund të marsit, ka qenë kambana e alarmit që e detyroi Milanin të vepronte pa humbur kohë. Dhe përgjigjja erdhi shpejt, në stil pragmatik.
Niclas Füllkrug është zgjidhja e menjëhershme. Sulmuesi gjerman, klasi 1993, mbërriti nga West Ham me formulën e huazimit falas dhe të drejtë blerjeje prej 5 milionë eurosh. Një operacion inteligjent, pa rrezik financiar, por me potencial konkret. Ai debutoi menjëherë në fushën e Cagliarit dhe tani i takon atij të mbajë mbi supe peshën e zëvendësimit të “Bebotes”.
Këta muaj do të jenë provë e së vërtetës: ose konfirmim për sezonin 2026–2027, ose thjesht një kapitull i përkohshëm në historinë kuqezi.
Sulm i plotë? Allegri buzëqesh
Me Füllkrug në qendër, Christian Pulisic dhe Rafael Leão në krahë dhe një Christopher Nkunku më në fund i rigjetur, Allegri e konsideron repartin ofensiv të kompletuar. Nuk priten goditje të bujshme në janar, as lëvizje të mëdha që të prishin ekuilibrat.
Megjithatë, merkatos nuk i dihet: asnjë derë nuk është kurrë plotësisht e mbyllur. Flitet për një rikthim të mundshëm të parakohshëm të Francesco Camardës nga huazimi në Lecce. Talenti i ri është aktualisht i dëmtuar në shpatull, por sapo të rikuperojë, mund të jetë një armë shtesë për Allegrin.
Ndërkohë që syri i klubit shikon edhe nga e ardhmja: një emër që po qarkullon në ambientet kuqezi është ai I Andrej Kostic, klas 2007, bomberi malazez i Partizanit të Beogradit. Në letër, për Milan Futuro të Massimo Oddos, por kush e njeh Moncadën e di mirë se talentët e vërtetë nuk presin gjatë.
Merkato e madhe 2026: fantazitë marrin formë
Nëse janari është i matur, vera e vitit 2026 premton zjarr. Milani po punon prej kohësh në prapaskenë për një goditje të madhe në sulm. Kontakti i vazhdueshëm me agjentin Darko Ristic mban gjallë pistën që çon te Dusan Vlahovic. Bomberi serb, klasi 2000, do të lirohet nga Juventusi dhe do të jetë një nga emrat më të nxehtë të merkatos.
Por Vlahovic nuk është i vetmi që ndez fantazinë. Në listën e parametrit zero figurojnë edhe Mauro Icardi (1993), në fund të aventurës me Galatasaray-n, dhe Robert Lewandowski (1988), që do të mbyllë kapitullin e tij me Barcelonën. Një nga këta emra në San Siro do të ishte benzina perfekte për ëndrrat e tifozëve kuqezi.
Edhe pse, si gjithmonë, Milani mund të zgjedhë ndryshe: më pak emër, më shumë perspektivë.
Pista “alla Moncada”: Hamza Igamane
Dhe këtu hyn në skenë emri që pëlqehet shumë në katet e larta të klubit të rrugës Aldo Rossi. Hamza Igamane, klasi 2002, sulmuesi maroken që në verën e 2025 kaloi nga Rangers te Lille për 11,5 milionë euro. Në Francë, mes Ligue 1 dhe Europa League, ka shënuar 8 gola dhe ka dhuruar 2 asistime në 18 paraqitje, shpesh në tandem me një ish-kuqezi si Olivier Giroud.
Sezoni i tij do të ndalet këtu për shkak të një dëmtimi të rëndë të pësuar në Kupën e Afrikës, por vlera e lojtarit nuk vihet në diskutim. Lille e vlerëson rreth 20 milionë euro, një shifër perfekte për parametrat ekonomikë të Milanit të RedBird. Marrëdhëniet mes dy klubeve janë të shkëlqyera dhe Moncada, në tregun francez, lëviz si në shtëpinë e tij.
Milani është në një fazë delikate, por jashtëzakonisht interesante. Janari kërkon qetësi dhe saktësi, vera premton ëndrra dhe ambicie. Mes nevojave të së tashmes dhe vizioneve të së ardhmes, Diavoli po ndërton me kujdes.
Allegri pret përforcime të vogla, tifozët ëndërrojnë goditje të mëdha. Dhe merkatoja, si gjithmonë, është gati të surprizojë. Në Milano, zjarri është ndezur. Dhe kjo është vetëm fillimi.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
