“Larg duart nga Allegri”: Oriali, Napoli dhe një skenar i vjetër sa vetë pankinat italiane

Vijon që nga ndeshja e superkupaës Napoli–Milan, e duke vazhduar te komunikata e ashpër e klubit partenope, e deri te mediatikët që gumëzhijnë si miza mjalti, të cilët e kanë vënë Allegrin në bankën e të akuzuarve. Por a është vërtet trajneri kuqezi problemi? Rasti Oriali rihap një film të parë prej vitesh, që nga koha e Mourinhos, mes tensioneve, presionit dhe hipokrizisë së futbollit modern...

Milanistat
5 Min Read

Napoli–Milan nuk ka lënë pas vetëm një rezultat dhe një ndeshje kupe, por edhe një valë polemikash që ka pushtuar ditët pas ndeshjes e deri më sot.

Në qendër të stuhisë, kësaj rradhe është Massimiliano Allegri, i akuzuar nga klubi napolitan për fyerje të rënda ndaj Gabriele “Lele” Oriali në bordin e fushës dhe një tufë mediatikësh që i bëjnë fresk. Një komunikatë zyrtare, tone të ashpra dhe një klimë që menjëherë ka riaktivizuar mekanizmat e zakonshëm të futbollit italian: presion mediatik, ndërhyrje federale dhe rrezik sanksionesh nga Gjykatësi Sportiv. Por, përtej episodit, kjo histori ngjan me një déjà-vu. Sepse Oriali, pankinat nervoze dhe përplasjet verbale nuk janë asgjë e re. Dhe Allegri, sado i drejtpërdrejtë apo impulsiv, nuk është as i pari dhe as i fundit që bie pre e këtij skenari të vjetër.

Allegri në shënjestër, por Oriali një emër i njohur për polemikat

Kanë kaluar më shumë se 24 orë nga vërshëllima e fundit e arbitrit, por episodi Allegri–Oriali vazhdon të dominojë debatin. Në lojë kanë hyrë inspektorët federalë dhe një ndëshkim i mundshëm për trajnerin e Milanit është në horizont. Megjithatë, reduktimi i gjithçkaje në një çështje “Allegri vs Oriali” është vetëm një lexim sipërfaqësor.

Sepse Lele Oriali nuk është një figurë e re në këto dinamika. Historia e tij në pankina flet vetë, sidomos gjatë viteve të bashkëpunimit me José Mourinho. Që atëherë, Oriali u bërë simbol i një pranie bezdisëse, shpeshherë të tepruar, pranë vijës anësore: tensione me arbitra, debate me kundërshtarë, skualifikime të njëpasnjëshme. Një profil që gjithmonë ka ndarë opinionin publik, mes atyre që e shohin si “njeri të fushës” dhe atyre që e konsiderojnë provokues të vazhdueshëm.

Në këtë kontekst, është e vështirë të besohet se episodi i Superkupës është një rast i izoluar apo një sjellje e papritur. Dhe këtë e dinë mirë, edhe ata, mediatikët napolletanë.

Një film i parë më herët: nga Mourinho te Conte

Ajo që e bën këtë polemikë edhe më të diskutueshme është memoria selektive e futbollit italian. Sepse nëse Allegri duhet të kritikohet për fjalë të papërshtatshme, atëherë standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.

Mjafton të kthehemi disa muaj pas, në episodin Parma–Napoli të sezonit të kaluar. Atje, Antonio Conte, sot në krye të… (kujt?) pikërisht pankinës napolitane, u përjashtua pas një përplasjeje shumë më të ashpër me stafin e skuadrës kundërshtare. Fjalët e tij, kërcënuese dhe direkte (“të vij e të kap…”), ishin pa dyshim më të rënda sesa fyerjet, që i atribuohen Allegrit ndaj Orialit.

E megjithatë, ai episod u arkivua relativisht shpejt, pa komunikata morale dhe pa një kryqëzatë mediatike të përmasave të këtyre ditëve. Arritur në këtë pikë, ngre kokë një pyetje thelbësore: pse sot ka kaq shumë zhurmë dhe dje pothuajse heshtje?

Koherencë, jo hipokrizi: pankinat janë nën presion

E vërteta është se pankinat e futbollit modern janë zona lufte psikologjike. Trajnerë, ndihmëstrajnerë dhe drejtues jetojnë nën një presion konstant, ku çdo vendim, çdo fjalë dhe çdo gjest amplifikohet. Nuk ekzistojnë “shenjtër” nëpër pankina, por profesionistë që, herë pas here, ndodh që edhe ta humbasin kontrollin.

Allegri nuk është shenjt dhe as pretendon të jetë i tillë. Mund të ketë ekzagjeruar, por të shndërrohet në simbol i të keqes, duke harruar precedentët e ngjashëm – madje edhe më të rëndë – është ushtrim i pastër hipokrizie. Nëse futbolli dëshiron të japë mesazhe të forta kundër sjelljeve jashtë normave, atëherë duhet ta bëjë këtë me koherencë dhe pa dy standarde.

Larg duart nga Allegri!

Në fund të fundit, kjo histori nuk është vetëm për Allegrin apo Orialin. Është për mënyrën se si futbolli në Serie A zgjedh heronjtë dhe fajtorët e momentit. Sot është radha e trajnerit livornez të Djallit, nesër do të jetë dikush tjetër. Por skenari mbetet i njëjtë, një film që vazhdon prej dekadash.

Prandaj, përpara se të ngrihen gishta akuzues, ndoshta do të ishte më e ndershme të shikohej tabloja e plotë. Sepse nëse rregullat vlejnë për të gjithë, atëherë duhet të vlejnë vërtetë për të gjithë. Dhe Allegri, në këtë histori, është pjesë e sistemit dhe jo përjashtim i tij.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article