Milani u largua nga Riadi në orët e paradites, por me një barrë të rëndë mbi supe. Jo thjesht eliminimi, jo thjesht një Superkupë e humbur, por ndjesia e fortë se diçka, thellë në ndërtimin e skuadrës, nuk funksionon.
- Një rikthim me më shumë pyetje se përgjigje
- 90 milionë në fushë, zero ndikim: podiumi që fundos Milanin
- De Winter, një zëvendësim që nuk funksionon
- Jashari, rrëzohet që në provimin e parë
- Nkunku, simboli i zhgënjimit të madh
- Allegri dhe realiteti i hidhur i alternativave
- Një alarm që nuk mund të injorohet
Një rikthim me më shumë pyetje se përgjigje
Në një natë arabe të dhjetorit, e ftohtë dhe pa mëshirë, u shfaq në mënyrë brutale një e vërtetë që deri dje ishte vetëm një dyshim: merkatoja e verës, ajo më e shtrenjta, ka dështuar teknikisht.
Sepse futbolli nuk është vetëm ide, plane dhe bilance. Është edhe performancë. Dhe kur performanca mungon, shifrat bëhen akuza.
90 milionë në fushë, zero ndikim: podiumi që fundos Milanin
Formacioni titullar i zgjedhur nga Massimiliano Allegri përfaqësonte në thelb podiumin e investimeve më të mëdha të klubit mes korrikut dhe gushtit. De Winter (18 milionë), Jashari (35 milionë) dhe Nkunku (37 milionë): plot 90 milionë euro të shpërndara në të gjitha repartet.
Është e vërtetë, në fushë nuk zbresin transfertat bankare. Por është po aq e vërtetë se këto investime duhen justifikuar me rendiment, personalitet dhe peshë specifike. Dhe pikërisht këtu Milani dështoi. Sepse jashtë 12–13 titullarëve, skuadra shfaq boshllëqe alarmante. Alternativat nuk bindin, nuk rrisin nivelin, nuk garantojnë siguri.
De Winter, një zëvendësim që nuk funksionon
Ideja ishte e qartë: De Winter si trashëgimtar i Malick Thiaw. Realiteti është krejt tjetër. Investimi veror për belgun është tashmë një flop i certifikuar.
Çdo paraqitje e tij shoqërohet me gabime teknike që i kushtojnë skuadrës. Në ndeshjet e fundit, lista është e gjatë dhe e rëndë: nga faza e golit të barazimit të Sassuolos, ku i hap rrugë aksionit fatal, te dy golat e pësuar kundër Napolit, ku Hojlund e dominon fizikisht dhe psikologjikisht.
Si zëvendësues i Gabbias nuk jep garanci. Vuan në duele, vuan në lexim loje. Dhe nuk është rastësi që Allegri kërkon me ngulm një tjetër mbrojtës qendror. Në një Milan ideal, De Winter do të ishte rezerva e Tomorit, jo zgjidhja e parë për çdo emergjencë.
Jashari, rrëzohet që në provimin e parë
Zgjedhja e Ardon Jasharit titullar në vend të Luka Modric ishte një akt guximi nga Allegri. Një mesazh i qartë: besim te djaloshi, por edhe nevojë për të menaxhuar një Modric të lodhur.
Por fusha dha verdiktin e saj. Provimi i parë “si i madh” për ish-Bruges rezultoi i vakët. Shumë pasime horizontale, pak vertikalitet, pak guxim. Manovra e Milanit u pa sterile, e lexueshme, e parashikueshme.
Cilësitë teknike nuk i mungojnë, por ritmi i ndeshjes nuk është ende në këmbët dhe në mendjen e tij. Jashari ka nevojë për kohë, për studim, për rritje. Në këtë moment, barra ishte më e rëndë se sa mund të përballonte.
Nkunku, simboli i zhgënjimit të madh
Të flasësh për Christopher Nkunku sot është thuajse e dhimbshme. Nga blerja flamur e merkatos në një figurë që imponon dëshirën për dorëzim. Francezi është bërë simboli i zhgënjimit rossoner.
Asisti i shpërdoruar nga Saelemaekers ngjalli habi edhe te tifozët arabë. Por kur Nkunku vetë hodhi në erë kundërsulmin më të madh të Milanit, stadiumi u mbulua nga një ndjesi përtej zhgënjimit. Jo zemërim. Një zhgënjim shumë i madh. Sikur gabimet të ishin bërë tashmë rutinë.
Dhe ironia më e madhe? Në anën tjetër ishte Hojlund, një lojtar i ndjekur gjatë gjithë verës, e që me konkretësinë e tij e dënoi Milanin me eliminim.
Allegri dhe realiteti i hidhur i alternativave
Edhe Massimiliano Allegri nuk është pa faj, por nuk është i vetmi përgjegjës. Ai punon me atë që ka. Dhe ajo që ka sot Milani, përtej titullarëve, nuk mjafton. Rotacioni nuk garanton cilësi, nuk mban nivelin, nuk jep siguri.
Humbja e kësaj Superkupe nuk është vetëm humbja e një trofeu. ajo zbuloi një problem strukturor. Dhe kur një skuadër sheh të dështojnë pikërisht blerjet më të shtrenjta, atëherë pyetjet bëhen të pashmangshme.
Një alarm që nuk mund të injorohet
Riadi nuk ishte thjesht një skenë ekzotike. Ishte një pasqyrë e pamëshirshme. 90 milionë euro u zvanitën në shkretëtirë, duke lënë pas dyshime, zhgënjim dhe një emergjencë të qartë: Milani duhet të rishikojë veten.
Sepse futbolli i madh nuk fal. Dhe koha e justifikimeve, në një klub me historinë tonë, mbaron shumë shpejt.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
