“Tepër pak për të fituar Scudetton”. “Organik i shkurtër”. “Jo mjaftueshëm golash”. “Skuadër që humbet pikë me të vegjlit”.
Mes mosbesimit dhe paragjykimeve: një Milan kundër gjithë botës
Dhe mbi të gjitha, refreni i vjetër: “Fati i Allegri-t”. Një kor zërash që vjen çdo javë nga studiot televizive, nga opinionistët modernë dhe nga ata që e shohin futbollin më shumë si spektakël fjalësh sesa si analizë faktesh.
Milani, ndërkohë, ecën përpara. Pa u trembur. Pa u justifikuar!
Me dritat e fikura, kundër të gjithëve.
Sepse është më e lehtë të qeshësh sesa të pranosh realitetin: ky Milan është konkurrues. Dhe nuk është rastësi.
Shifra që rrëzojnë mitin e “fatit”
Le të flasim me fakte, jo me përshtypje. Milani ka sot sulmin e dytë më të mirë të kampionatit.
Një skuadër që “nuk shënon”, por që në realitet prodhon dhe finalizon më shumë se pothuajse të gjithë të tjerët në kampionat.
Rivalët nuk kanë asgjë më shumë karshi çiftit ofensiv të rossonerëve, përkundrazi, në raport me minutat e luajtura, është ndër më efikasit e Serie A.
Jo vetëm kaq: kuqezinjtë janë skuadra me më pak humbje në kampionat.
Dhe kjo është shenja më e qartë e një soliditeti që nuk ndërtohet me fat, por me organizim, disiplinë dhe ide të qarta.
Ata që dërdëllisin gjithë ditën lart e poshtë, harrojnë se edhe vetë fati ndihmon ata që dinë të qëndrojnë në këmbë.
Po, janë humbur pikë me skuadra të vogla. Por harrojnë të thonë se Milani është ai që ka bërë më mirë në përballjet direkte me rivalët direktë për titull.
Bilanci është aty, nën sytë e të gjithëve. Pikët e marra me “big”-ët kompensojnë ato të humbura me “të vegjlit”. Jo padrejtësi, por ekuilibër.
Një skuadër me yje të vërtetë, jo me etiketa
Reduktimi i Milanit në “skuadra e një lojtari” është një tjetër narrativë e rreme. Sepse përveç yllit kryesor, në këtë skuadër luajnë futbollistë që do të ishin titullarë kudo në Europë.
Portieri, lideri i mesfushës, dirigjenti me përvojë, forca fizike dhe cilësia në repartet kyçe: një bërthamë që shumë klube do ta donin.
Nënvlerësimi që po i bëhet këtij Milani ngjan në mënyrë të frikshme me atë të sezonit 2021/22. Edhe atëherë tallje, dyshime, skepticizëm. Dhe të gjithë e dimë si përfundoi.
Ndoshta, edhe këtë herë, është më mirë të vazhdojë kështu: të mos shihet si favorit, të mos mbajë barrën e presionit, të punojë në heshtje.
Realizëm, përulësi dhe merkato: rruga e vetme përpara
Askush nuk thotë se gjithçka është perfekte.
Ky Milan ka mangësi, ka hapësira për përmirësim dhe e di shumë mirë.
Pikërisht për këtë, merkatoja e janarit shihet si një mundësi për të rregulluar, jo për të revolucionarizuar.
Një ndërhyrje e matur, aty ku duhet, për të përforcuar një grup që tashmë ka identitet.
Pa harruar kurrë nga vjen kjo skuadër: një sezon i kaluar zhgënjyes dhe një nisje e re me shumë pikëpyetje.
Sot, të jesh aty lart, në garë për majën, nuk është dhuratë, por rezultat pune. Është arsye për krenari.
Milani vazhdon rrugën e tij, ndoshta jo i bukur për syrin e studios televizive, por i fortë, i qëndrueshëm dhe i gjallë.
Le të flasin të tjerët. Djalli grumbullon pikë, shikon përpara dhe, siç thotë trajneri, “të arrijmë në mars dhe të shohim ku jemi”.
Pa zhurmë. Pa frikë. Dhe mbi të gjitha, pa u shqetësuar se çfarë thonë të tjerët.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
