Ka një moment në çdo sezon futbolli kur gjithçka bëhet e qartë, kur maskat bien, kur e vërteta del në sipërfaqe si një gur i rëndë që s’mund ta mbash më nën ujë. Për Milanin e këtij sezoni, ai moment erdhi dje pasdite, kur Adrien Rabiot u kthye në fushë pas mungesës së diskutueshme në transfertën e Romës kundër Lazios – një ndeshje që pa të u shndërrua në një dramë të vërtetë për kuqezinjtë.
Nuk ishte nevoja për një “provë” të mëtejshme. Të gjithë e dinin, e ndjenin, e shihnin me sy të lirë: pa Rabiot-in, Milani është një skuadër tjetër. Por dje, me golën e tij të parë në “San Siro” me fanellën kuqezi, me atë vrapim që të kujton një kalë të egër që s’ndalet dot, me atë mënyrë të të qenit që të bën të ndihesh i sigurt se gjithçka është nën kontroll, francezi na dhuroi diçka më shumë se tre pikë. Na dhuroi besimin.
Në Milanello, në korridoret e “San Siro”-s, në bisedat e tifozëve nëpër baret e Milanos, një frazë po përsëritet si një mani: “Il Diavolo è tornato in sella al suo Cavallo Pazzo – Djalli është kthyer në shalën e Kalit të Çmendur“. Dhe ky “Kalë i Çmendur”, ky kalë që nuk njeh frikë, që sfidon çdo kundërshtar e që bën diferencën mes fitores dhe humbjes, ka një emër: Adrien Rabiot.
SHIFRAT QË TREGOJNË TË VËRTETËN: 2.38 VS 1.44
Le të flasim me gjuhën që kuptohet më mirë në futboll – me gjuhën e statistikave. Kolegët e të përditshmes së madhe sportive Gazzetta dello Sport, e kanë ndjekur me besnikëri nga çadra kuqezi, dhe kanë analizuar sot në detaje ndikimin e Rabiotit. Diferenca është… frikësuese.
Me Rabiot në fushë: 21 ndeshje, 15 fitore, 5 barazime, 1 humbje. Mesatarja? 2.38 pikë për ndeshje. Kjo është mesatarja e një kampioni, e një skuadre që lufton për titull, e një ekipi që dominon.
Pa Rabiot në fushë: 9 ndeshje, 3 fitore, 4 barazime, 2 humbje. Mesatarja? 1.44 pikë për ndeshje. Kjo është mesatarja e një skuadre që lufton për një vend në Europë, që dridhet çdo javë, që humbet pikë kundër rivalëve direkt.
Diferenca është pothuajse një pikë për ndeshje. Në matematikën e kampionatit, kjo është humbje e një titulli, kjo është diferenca mes Champions League-s dhe Europa League-s, kjo është… çmimi i mungesës së një vetëm lojtari.
Por Rabiot nuk është “vetëm një lojtar”. Ai është sistemi nervor qendror i këtij Milani. Pa të, Allegrit duhet të rishikojë gjithçka – taktikën, ekuilibrin, psikologjinë e grupit. Me të, gjithçka bëhet më e thjeshtë, më e natyrshme, më… e fitueshme.
LEADERSHIP NË FUSHË DHE JASHTË SAJ: KUR MODRIÇ GJEN SHOKUN PERFECT
Taktika është vetëm një pjesë e historisë. Rabiot sjell diçka që nuk mësohet në asnjë akademi, diçka që nuk blihet me para – ai sjell leadership. Në moshën 29 vjeçare, në kulmin e formës fizike dhe inteligjencës taktike, francezi është bërë zëri i komandës në fushë.
Dje, krah për krah me Luka Modriç – një tjetër legjendë që vrapon si të ishte 25 vjeçar – Rabiot krijoi një partneritet që të kujton kohët e arta të mesfushave të Milanit. Dy “regjisorë”, dy luftëtarë, dy liderë që flasin me sy, që kuptojnë njëri-tjetrin pa fjalë, që bëjnë skuadrën të lëvizë si një orkestër e stërvitur.
Por ka edhe diçka tjetër, diçka që flet për karakterin e tij, për mënyrën se si e sheh grupin. Festa e kombinuar me Youssouf Fofana – dy herë, një pas golit të tij dhe një pas golit të shokut – ishte një mesazh i qartë. Ata imituan festat karakteristike të Pulisic dhe Leao, duke thënë pa fjalë: “Jemi një grup i bashkuar, jemi një familje.”
Kjo është ajo që mungonte te Milani i viteve të fundit – një shpirt kolektiv, një ndjenjë se fanella kuqezi është më e rëndësishme se emri në shpinë. Rabiot e ka sjellë këtë. Ai e ka sjellë me eksperiencën e viteve në Juventus, me maturinë e një që ka luftuar në nivelet më të larta, me dëshirën për të provuar se ai mund të jetë diferenca.
DERI NË FUND: KALI I ÇMENDUR NUK DO TË ULË SHPEJTËSINË
Dhe tani? Çfarë na pret? Rabiot ka një mesazh të qartë: “Da qui a fine stagione non ha intenzione di essere disarcionato – deri në fund të sezonit, ai nuk ka ndërmend të zbresë nga kali“. Kjo do të thotë përqendrim maksimal, do të thotë asnjë mungesë, do të thotë luftë deri në minutën e fundit për çdo top, për çdo pikë, për çaj ëndërr.
Milani ka nevojë për këtë. Ka nevojë për një lider që të thotë “ndiqmë” me shembull, jo me fjalë. Ka nevojë për “Kalin e Çmendur” të tij që të sfidojë çdo kundërshtar, të thyer çdo presing, të krijojë hapësira edhe aty ku nuk duket se ka.
Sezoni po hyjmë në fazën e tij më të rëndësishme. Çdo ndeshje është një finale. Dhe në finale, zakonisht fiton ai që ka lojtarë që bëjnë diferencën. Milani ka Rabiot. Dhe për herë të parë pas shumë vitesh, kjo ndihet si një avantazh i vërtetë, si një garanci që gjithçka është e mundur. 🔴⚫
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
