Ka qenë një javë ku te Milani ka ndodhur vërtet gjithçka. Vendime të marra dhe të tërhequra, ndeshje që duhej të luheshin në anën tjetër të globit e që në fund u anuluan, merkato që ndezi shpresat vetëm për t’i ftohur menjëherë dhe një ndjesi e fortë déjà-vu për tifozët kuqezinj: sporti që vjen gjithmonë pas llogarive financiare.
Nga kaosi i ndeshjes kundër Comos, që për pak sa nuk u shndërrua në një tur australian me pasoja të paparashikueshme, te zbarkimi në Malpensa i Niclas Fullkrug, një përforcim që më shumë ngre pikëpyetje sesa entuziazëm.
Ndërkohë, Max Allegri vazhdon të mbajë Milanin në majë, vetëm një pikë larg kreut, me një skuadër të cunguar, të lodhur dhe të mbushur me probleme fizike. Një Milan që lufton, por që duket gjithnjë e më shumë i detyruar të mbijetojë, jo të dominojë.
Kaosi i ndeshjes në Australi: telenovela që u mbyll pa një fund të lumtur
Fakti që Milani nuk do të luajë ndeshjen kundër Comos në Australi, në shkurt, është pa dyshim një lajm i mirë nga këndvështrimi sportiv.
Por mënyra si u mbërrit deri këtu ishte vërtet klamorose. Fillimisht ndeshja u konfirmua, më pas u vu në dyshim, u rikonfirmua madje publikisht nga presidenti i Lega Serie A pak para Napoli-Milan në transmetim kombëtar, dhe në fund u anulua përfundimisht.
Një konfuzion total, ku për të realizuar këtë projekt absurd, Lega kishte menduar madje edhe arbitra aziatikë, vetëm që ndeshja të zhvillohej në Perth. Por në fund, arsye ekonomike dhe frika nga sanksionet detyruan federatën australiane dhe Lega Serie A të tërhiqeshin. Dhe ndoshta kështu ishte më e drejta.
Sepse kjo trasfertë do të penalizonte të gjithë: tifozët italianë, lojtarët të detyruar të përballonin fluturime të gjata, ndryshim orari, klimë tjetër dhe rrezik të lartë dëmtimesh. Një ide më shumë komerciale sesa sportive, që në fund u rrëzua nën peshën e vet.
Fullkrug zbarkon në Milano: një “dhuratë” për Allegrin mes mungesash dhe rreziqesh
Mbrëmjen e djeshme, në Malpensa, mbërriti Niclas Fullkrug. Jo emri që tifozët kishin ëndërruar, por realiteti brutal i një merkatoje pa fonde.
Nga ambienti kuqezi filtron qartë: në janar nuk ka para për të investuar. Dhe kjo është pasojë edhe e zgjedhjeve të gabuara të verës, ku shumë burime u shpenzuan keq, ndërsa deri tani vetëm Rabiot dhe Modric kanë bindur realisht.
Fullkrug vjen në huazim me të drejtë blerjeje deri në qershor, një zgjidhje emergjente për t’i dhënë Allegrit një alternativë më shumë në sulm, një repart i mbushur me probleme: nga Nkunku te Gimenez, pa harruar ndalesat e vazhdueshme fizike të Leao-s dhe Pulisic, që bashkë kanë luajtur jashtëzakonisht pak.
Nga ana teknike, gjermani mund të jetë profili i duhur: një sulmues tipik zone, fizik, referencë në zonë. Por nga ana mjekësore, rreziku është i madh. Dëmtimet e shpeshta e bëjnë një bast të rrezikshëm. Sot vizitat mjekësore, nesër testet e para në Milanello: koha për prova ka mbaruar.
Një mbrojtës dhe asgjë më shumë: merkato minimale dhe pesha mbi Allegrin
Tani Milani kërkon edhe një mbrojtës të gjithanshëm, të aftë të luajë si në krahun e djathtë ashtu edhe në qendër. Edhe këtu, vetëm huazime, pa investime të rëndësishme.
Çdo ndryshim i planit varet nga ndonjë largim përfundimtar, por edhe kjo rrugë duket e bllokuar. Shpresa për të shitur Gimenez në janar ishte reale, por operacioni i ndërlikuar i meksikanit i ka prishur planet e klubit.
Në këtë situatë, figura e Max Allegrit del edhe më shumë në pah. Trajneri ka bërë një punë kolosale: Milani është vetëm një pikë larg vendit të parë dhe, për atë që ka në dispozicion, do të meritonte një ndihmë shumë më bindëse nga merkatoja.
Tani skuadra duhet të shtrydhë çdo pikë energjie të organikës, të shkojë përtej limiteve për të qëndruar në garë me Interin dhe Napolin deri në fund.
Përndryshe, rreziku është i njohur: një tjetër sezon pendesash, me ndjesinë e hidhur se edhe këtë herë bilancet financiare kanë pasur përparësi ndaj ambicieve sportive.
Dhe për një klub si Milani, kjo është ndoshta humbja më e madhe.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
