Janari ka sjellë jo vetëm hapjen e merkatos, por edhe një nga temat më delikate dhe strategjike për të ardhmen e Milanit: rinovimin e Mike Maignan.
Ditët e kapitenit: besimi rritet, rinovimi afrohet
Në Casa Milan ka një ndjesi gjithnjë e më pozitive, një optimizëm të matur që filtron nga ambienti kuqezi.
Portieri francez ka hapur derën për qëndrimin dhe tani topi është në fushën e detajeve: takimi vendimtar me agjentin dhe gjetja e marrëveshjes përfundimtare ekonomike.
Oferta e klubit është e qartë dhe e strukturuar sipas një modeli tashmë të konsoliduar: 5 milionë euro bazë plus bonuse, disa të arritshme, disa më ambicioze, për një total që mund të shkojë deri në 7 milionë euro.
Një kontratë “alla Milan”, e ngjashme me atë të Leaos.
Pas tensioneve të krijuara një vit më parë, puna e bërë me durim nga Igli Tare ka filluar të japë fryte.
Çarjet janë duke u mbyllur, dialogu është rikthyer dhe atmosfera është dukshëm më e qetë.
Janë ditë kyçe për të ardhmen e kapitenit dhe klubi e di mirë peshën simbolike dhe teknike të këtij rinovimi.
Presioni i trajnerit dhe porta e blinduar
Në këtë proces ka një rol të rëndësishëm edhe Massimiliano Allegri. Trajneri livornez e dëshiron fort vazhdimësinë e portierit dhe nuk e fsheh: flet çdo ditë me të, e përfshin, e bën të ndihet qendror në projekt.
Një “pressing” psikologjik pozitiv, që shpresohet të çojë drejt finales së lumtur.
Ndërkohë, fusha jep përgjigje konkrete. Në Cagliari, Milani ka mbajtur sërish portën të paprekur, jo vetëm falë ndërhyrjeve të portierit, por mbi të gjitha për shkak të një strukture difensive më solide.
Ekipi ka gjetur ekuilibrin, ka mbyllur hapësirat dhe ka ditur të menaxhojë momentet e vështira.
Një detaj aspak i vogël në një kampionat që fitohet edhe – dhe sidomos – duke mos pësuar.
Allegri dhe filozofia e rezultatit: fitore me një goditje
Fitorja në transfertë ishte një manifest i pastër i filozofisë allegriane. Të mbrohesh mirë, të presësh momentin e duhur dhe të godasësh me cinizëm.
Edhe këtë herë, Milani ka fituar duke shënuar golin në goditjen e parë në kuadratin e portës. Një skenar që është përsëritur plot 11 herë këtë sezon.
Nuk është futboll për estetikë, por për efikasitet.
Dhe edhe pse jo të gjithë e vlerësojnë këtë kredo, faktet janë aty: Milani është rikthyer konkurrues për majën e klasifikimit.
Allegri po bën një punë të madhe, duke ndërtuar një skuadër pragmatike, të fortë mendërisht dhe të vështirë për t’u mposhtur.
E nëse, pastaj, merkatoja sjell ndonjë përforcim, aq më mirë. Por baza është tashmë solide.
Shembulli që vjen nga mesi i fushës: koha ndalet për kampionët
Në këtë Milan ka edhe një tjetër histori që meriton duartrokitje të veçanta. Quhet Luka Modric!
Një histori që flet për klas, inteligjencë taktike dhe një profesionalizëm që sfidon moshën. Allegri nuk e heq kurrë nga fusha dhe nuk është rastësi.
Nuk bëhet fjalë vetëm për lavdërimin e një karriere të jashtëzakonshme, por për shifra që flasin më qartë se çdo fjalë: 88% saktësi në pasimet ofensivë, 83% efikasitet në mbajtjen e topit.
Në Serie A është lojtari më i mirë për pasime të kompletuara (970) dhe pasime vertikale në thellësi (69).
Por përtej statistikave, është ajo që sheh me sy: një kampion që ndjek kundërshtarin, që vrapon, që lufton me përulësinë e një 18-vjeçari.
Një shembull i përditshëm për të gjithë dhomën e zhveshjes.
Një Milan që rritet, mes sigurisë dhe ambicies
Mes rinovimeve që afrohen, një identiteti të qartë loje dhe liderëve që bëjnë diferencën në fushë dhe jashtë saj, Milani po ndërton një rrugë të fortë.
Nuk ka zhurmë të panevojshme, por ka substancë.
Dhe në futboll, është shpesh receta më e mirë për të ëndërruar deri në fund.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
