Në brigjet e liqenit të Como-s u vu në skenë show tipik i një prej atyre netëve që ndezin debatet, ndajnë opinionet dhe, si gjithmonë, lënë një të vërtetë të hidhur për ata që besojnë se futbolli fitohet vetëm me estetikë.
Como–Milan nuk ishte thjesht një ndeshje kampionati: ishte një manifest ideologjik. Nga njëra anë bukuria, loja, entuziazmi. Nga tjetra ftohtësia, cinizmi dhe kultura e fitores. Rezultati? Fiton Milani. Përsëri!
Po, Como ka vetëm një degë liqeni, por ndeshja në brigjt e saj pati dy fytyra të qarta. Një orë iluzion për vendasit, nëntëdhjetë minuta realitet për kuqezinjtë. Sepse futbolli, sado romantik të jetë, nuk është konkurs elegance: është sport i pamëshirshëm, ku pikët peshojnë më shumë se duartrokitjet.
Fortesa e rrëzuar dhe pesha e fitores
Para kësaj mbrëmjeje, Como nuk e dinte çfarë ishte humbja në shtëpi që prej 25 majit të vitit të kaluar, 0-2 kundër Interit. Më pas një seri mbresëlënëse: 7 fitore dhe 4 barazime. Një ecuri që kishte ndërtuar mitin e një skuadre të pamposhtur në shtëpi, të bukur për t’u parë dhe të vështirë për t’u thyer. Pikërisht për këtë arsye, fitorja e Milanit merr përmasa shumë më të mëdha sesa një “trepikësh” i zakonshëm.
Milani nuk erdhi në Como për të bërë figurë të bukur. Erdhi për të fituar. Dhe fitoi në mënyrën më irrituese të mundshme për kundërshtarët: duke vuajtur, duke rezistuar dhe duke goditur në momentin e duhur.
Është ky Milani i Allegrit, i akuzuar për mungesë loje, por gjithmonë i pranishëm kur llogariten pikët.
Një orë në apnea, pa u mbytur kurrë
Le të jemi të sinqertë: për një orë Milani u shtyp. U godit nga të gjitha anët, u rrethua, u detyrua të mbrohej thellë.
Como prodhoi lojë, ritëm, iniciativa. Por prodhoi edhe një sasi alarmante naiviteti. Sepse ndërsa vendasit godisnin shtyllat dhe portën, Milani nuk u mbyt kurrë. Qëndroi në sipërfaqe falë një njeriu që sot është shumë më tepër se një portier.
Mike Maignan ishte linja e fundit e rezistencës dhe simboli i këtij suksesi. Pritje vendimtare, dalje autoritare, personalitet prej lideri.
Në një Milan shpesh të kritikuar, Maignan është prova se kampionët nuk maten me bukuri loje, por me ndikim real. Nëse ky ekip është ende në garë për titull, një pjesë e madhe e meritës mban emrin e tij.
Episodi që ndez polemikat (por jo dyshimet)
Pastaj erdhi momenti që ndryshoi inerci. Penalltia për Milanin. Kontakti i Kempf mbi Rabiot është i qartë, i ulët, i vonuar. Këmbë dhe ijë, pa alibi. Arbitri Guida sheh mirë, vendos menjëherë dhe nuk ka nevojë për VAR. Notë 6,5: disa gabime të vogla gjatë ndeshjes, por mbi episodin vendimtar nuk ka mjegull, ndryshe nga ajo mbi liqen.
Polemikat? Të pashmangshme. Por vetëm për ata që kërkojnë alibi. Sepse penalltia ekziston, dhe Milani bën atë që dinë të bëjnë skuadrat e mëdha: e shfrytëzon.
Rabiot dhe kultura e vendosmërisë
Adrien Rabiot nuk është lojtari më elegant i kampionatit, por është një nga më vendimtarët. Ai e ndau ndeshjen, siç thonë në gjuhën e futbollit. Fizik, inteligjent taktikisht, i ftohtë në momentet kyçe. Ndërsa Como vazhdonte të luante bukur, Rabiot luante drejt. Dhe diferenca është e gjitha këtu.
Allegri vs Fabregas: kush ka të drejtë?
Kjo ishte edhe një sfidë personale: Allegri vs Fabregas, rezultati kundër lojës, përvoja kundër idealizmit.
Cesc Fabregas doli nga kjo ndeshje me statistika në xhep dhe duartrokitje nga publiku. Allegri del me tre pikë dhe një mesazh të fortë për kampionatin.
Ky është puro allegrizëm. Një filozofi që irriton estetikët, por që vazhdon të prodhojë rezultate.
Max lexoi më mirë momentet e ndeshjes, kuptoi kur duhej të vuante dhe kur të godiste.
Fabregas, përkundrazi, mbeti rob i idesë së tij, duke harruar se futbolli nuk shpërblen gjithmonë atë që luan më bukur.
Kjo fitore është një ulërimë në natën e ftohtë të Como-s. Një thirrje për Interin dhe për gjithë kampionatin: Milani është aty. Tre pikë larg. I kritikuar, i vënë në gjyq për cilësinë e lojës, por gjithmonë i gjallë.
Milani dhe analistët e pasndeshjes
Do të vazhdojnë t’i thonë se nuk luan bukur. Do të vazhdojnë të analizojnë statistikat, posedimin e topit dhe xG-të.
Por Milani vazhdon të fitojë. E ndërsa Como mbetet me duartrokitje dhe komplimente, kuqezinjtë largohen me atë që vlen më shumë se çdo estetikë: tre pikë dhe një bindje të fortë.
Sepse futbolli nuk ka një rrugë të vetme drejt suksesit. Dhe mbrëmë, në brigjet e liqenit, allegrizmi e dha sërish leksionin e tij.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
