Herezia kuqezi, ulërimat e puristëve dhe një e vërtetë që askush nuk do ta pranojë: Milani fiton edhe kur nuk i bindet fesë së lojës së bukur

Është e vërteta më e thjeshtë në botë, gjithmonë fiton realiteti, jo ideologjia: një përgjigje personale kundër atyre që mendojnë se vetëm ai “i tyre” është futboll

Milanistat
5 Min Read

Nga Albin TIRANA*

Po e them menjëherë, pa ekuivok dhe pa doreza: fitorja e Milanit në Como nuk është as rastësi, as vjedhje, as skandal. Është thjesht futboll. Por është futboll i padurueshëm për një kategori të caktuar njerëzish: puristët e lojës, ideologët e posedimit, talebanët e presingut të detyruar. Ata që mendojnë se futbolli ekziston vetëm nëse respekton librin e tyre të shenjtë.

Kjo fitore do të quhet herezi. Do të përqeshet. Do të relativizohet. Sepse nuk përputhet me dogmën. Sepse Milani ka guxuar të fitojë pa kërkuar leje.

Ideologjia që e vret futbollin

Sipas kësaj feje të re, nuk lejohet të shënosh me goditjen e parë në portë. Nuk lejohet të fitosh me më pak posedim topi. Nuk lejohet të mbrohesh mirë. Dhe mbi të gjitha, nuk lejohet të fitosh nëse portieri yt është lojtari më i mirë në fushë.

Deri në këtë pike absurditeti kemi mbërritur. Në një futboll të reduktuar në grafikë, në përqindje dhe në slogane televizive. Në një futboll ku realiteti i fushës duhet t’i përshtatet ideologjisë, jo e kundërta!

Realiteti që djeg: 43 pikë

Ndërkohë, Milani i Allegrit ecën. Pa zhurmë. Pa poezi. Por ecën. 43 pikë në 20 ndeshje. Një shifër që djeg, sepse nuk ishte aspak e padiskutueshme. Sepse kjo skuadër vinte nga një vend i tetë i trishtë, nga një sezon pa shpirt dhe pa identitet.

Milani duhej rindërtuar nga themelet.

Allegri nuk u kthye për të argëtuar opinionistët. U kthye për të rikthyer një gjë që në futboll vlen më shumë se estetika: besimin se mund të fitosh.

Përsa i përket Como-s…

E them pa hipokrizi: Como e Cask Fabregas më pëlqen. Është një skuadër që luan futboll, që guxon, që kërkon bukurinë. Nëse do ta kishte fituar këtë ndeshje, nuk do të kishte vjedhur asgjë. Por nuk e fitoi. Dhe kjo nuk është padrejtësi: është futboll.

Sepse Como prodhoi lojë, por jo ftohtësi. Dominim, por jo cinizëm. Dhe futbolli, kur nuk godet, të ndëshkon. Milani e di këtë prej një shekulli, Como e mëson sot.

Maignan dhe hipokrizia e madhe

Mike Maignan ishte vendimtar. Dhe këtu shpërthen hipokrizia. Nëse Maignan është lojtari më i mirë, atëherë është skandal. Nëse është Leali (domethënë portiere tjetër), atëherë gjithçka shndërrohet në romantizëm.

Pra problemi nuk na qenkësh portieri. Problemi është fanella. Problemi është Milani. Një klub që ka fituar shumë, që ka mësuar të vuajë dhe që nuk ka nevojë për justifikime estetike.

Futbolli nuk është shkencë ekzakte

Kam parë Milanin tim të humbasë finalen e Champions League 2005, ndoshta ndeshjen më të bukur të luajtur ndonjëherë nga kuqezinjtë. Kam parë të njëjtin Milan të fitojë Champions League 2007 pas një ndeshjeje të shëmtuar, të pistë, plot gabime.

E para jeton në kujtesë. E dyta jeton në histori. Dhe kjo duhet të mjaftojë për të kuptuar gjithçka.

Futbolli nuk është matematikë. Nuk është posedim plus presing. Është diçka që nuk matet, që nuk parashikohet, që nuk futet në ideologji pa u shkatërruar.

Trashëgimia kuqezi

Milani ka pasur një president që ka ndryshuar historinë e futbollit botëror. E bëri duke kërkuar lojë të bukur, po, por pa shpallur kurrë armiq të futbollit. Pa u vetëshpallur pronar i së vërtetës absolute.

Kjo është diferenca mes dashurisë për futbollin dhe arrogancës ideologjike.

Fitorja në Como nuk është herezi. Është një pasqyrë. Tregon sa shumë kemi nevojë ende të kuptojmë se futbolli nuk ka një fe të vetme.

Puristët do të vazhdojnë të predikojnë. Ideologët do të vazhdojnë të numërojnë pasime. Milani do të vazhdojë të fitojë.

Dhe në fund, si gjithmonë, nuk do të flasë ideologjia. Do të flasë tabela.

*Albin TIRANA është kryeredaktori i milanistat.com


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article