Frenimi i Milanit: cilat janë arsyet pas këtij ngadalësimi? Nga nisja bindëse te barazimet që djegin, pse kuqezinjtë kanë humbur ritmin dhe pse alarmi është real

Janari pati nisur me fitore dhe kontroll loje, por diçka u këput rrugës. Nga Cagliari në Firenze, Milani nuk fiton më dhe përsërit të njëjtin film: një pjesë loje e mirë, tjetra e dobët dhe në fund barazimi që vjen mes rreziqeve të mëdha. Forma fizike? Mungesë alternativash? Intensitet i ulët? Të gjitha arsyet pas ka ngadalësuar ecja e Djallit

Milanistat
6 Min Read

Fillimviti 2026 nuk ishte aspak negativ për Milanin. Fitorja 1-0 në transfertë ndaj Cagliarit, e ndërtuar mbi një ndeshje gjithmonë nën kontroll, dha ndjesinë e një skuadre solide, të pjekur dhe të aftë për të menaxhuar momentet kyçe edhe pa shkëlqyer në fazën ofensive. Edhe pse pjesa e parë nuk kishte prodhuar shumë raste, kuqezinjtë nuk kishin rrezikuar kurrë realisht barazimin.

Një janar që premtonte mirë, por diçka u prish rrugës

Megjithatë, sinjalet e para të rënies ishin shfaqur edhe më herët. Kundër Veronës, pas një pjese të parë shumë negative, u desh sërish individualiteti i zakonshëm i Pulisic për të zhbllokuar ndeshjen dhe për ta çuar në binarët e duhur. Një alarm i vogël, që në atë moment u injorua.

Pas Cagliarit, megjithatë, Milani është ndalur plotësisht: barazim në shtëpi kundër Genoas dhe barazim në transfertë ndaj Fiorentinës. Dy ndeshje shumë të ngjashme në mënyrën si erdhën: gol i pësuar në minutat e fundit dhe rrezik konkret për ta humbur ndeshjen në kohën shtesë. Vetvetiu lind pyetja: pse Milani ka frenuar? Arsyet janë disa, por tre duken vendimtare.

Lojtarët jashtë forme? Shtyllat e ekipit nuk mbajnë më si më parë

Motivi i parë dhe ndoshta më i rëndësishmi lidhet me gjendjen fizike të lojtarëve kyç. Shtyllat e Milanit, ata që zakonisht bëjnë diferencën, po kalojnë pothuajse të gjithë një moment jo optimal nga ana atletike.

Leao, Pulisic, Rabiot dhe Saelemaekers, janë thelbësorë për lojën e Allegrit, por asnjëri prej tyre nuk është sot në 100% të formës. Belgu është rasti më i qartë: mungesa e një alternative të besueshme po e detyron të luajë gjithmonë titullar. Dhe duke qenë se roli i tij është shumë i lodhshëm fizikisht, një pushim do të ishte i domosdoshëm, por praktikisht i pamundur.

Ndërsa për Leao dhe Pulisic problemi është ndryshe. Të dy po menaxhojnë shqetësime të vogla fizike që u pengojnë të shprehen maksimalisht. Amerikani lufton çdo ditë me një problem në fleksor, ndërsa portugezi nuk arrin të përshpejtojë dhe të vrapojë siç di dhe siç do.

Rabiot, nga ana tjetër, vjen nga një ndalesë mbi një muaj për shkak të dëmtimit në soleon e pulpës së majtë. Që nga rikthimi ka luajtur gjithmonë titullar dhe edhe për të ndoshta do të ishte e nevojshme pak më shumë menaxhim minutash.

Turnover që nuk bind: alternativat nuk japin garanci

Motivi i dytë lidhet drejtpërdrejt me të parin. Turnover-i nuk po shpërblen Allegrin. Siç u pa edhe në Firence, lojtarët që hyjnë nga pankina ose që zëvendësojnë titullarët nuk ofrojnë garanci të plota, çka e shtyn trajnerin të ndryshojë sa më pak të jetë e mundur formacionin bazë.

De Winter e nisi shumë keq aventurën e tij te Milani, edhe pse tani duket në rritje. Ricci dhe Jashari vuajnë ritmin, sidomos fizikisht, për 90 minuta. Loftus-Cheek ka rënë sërish në një periudhë të errët. Estupiñan dhe Atekhame nuk po rezultojnë në lartësinë e kontekstit dhe duken pak të besueshëm.

Në sulm, me dëmtimin e Gimenez, deri pak ditë më parë alternativa e vetme reale ishte Nkunku, i cili fatmirësisht duket se më në fund është zhbllokuar, si në aspektin e golit ashtu edhe në atë psikologjik. Por kjo nuk mjafton. Pasoja është e qartë: Allegri shmang ndryshimet dhe lodhja grumbullohet.

Intensitet i ulët: pse Milani luan vetëm një pjesë

Motivi i tretë është pasojë e dy të parëve, por edhe një problem më vete: mungesa e intensitetit. Kur lojtarët kryesorë nuk janë në formë, e gjithë skuadra luan nën ritëm dhe nuk arrin ta mbajë intensitetin për 90 minuta.

Prej javësh, analiza pas ndeshjes është gjithmonë e njëjtë: Milani i ka “dhuruar” një pjesë kundërshtarit. Herë të parën, si ndaj Veronës dhe Cagliarit, herë të dytën, si kundër Fiorentinës. Në çdo rast, një nga dy pjesët luhet me ritëm të ulët, pa agresivitet dhe pa presion konstant.

Kjo e bën ndeshjen më të vështirë, rrit rreziqet dhe ul ndjeshëm shanset për fitore, sidomos në fazat finale, kur kundërshtarët rriten dhe kuqezinjtë duken të lodhur.

Një alarm i butë, por i vërtetë

Frenimi i Milanit nuk është ende një krizë, por është një sinjal i qartë që nuk duhet nënvlerësuar. Forma fizike e lojtarëve kryesorë, mungesa e alternativave të besueshme dhe intensiteti i pamjaftueshëm po krijojnë një kombinim të rrezikshëm.

Allegrit i duhet të gjejë zgjidhje, qoftë përmes menaxhimit më të mirë të minutave, qoftë duke rrezikuar diçka më shumë me turnover-in. Sepse nëse Milani vazhdon të luajë vetëm një pjesë për ndeshje, frenata mund të kthehet shpejt në ndalesë të plotë. Dhe atëherë, rikuperimi do të jetë shumë më i vështirë.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article