Është Milani i Luka Modriç, është Milani i Max Allegrit

Pas Lecces, Milan mbyll një tjetër ndeshje me clean sheet. Ndikimi i Massimiliano Allegrit tashmë është i dukshëm: formacioni i tij tani është solid, kompakt dhe I ekuilibruar. Skuadra e shpërndarë, që I linte hapësira të gjera e të hapura kundërshtarëve një vit më parë tani është vetëm një kujtim i largët

Milanistat
3 Min Read

Mision i përmbushur mbrëmë nga Milani, që mundi Bolonjën 1-0 në San Siro dhe i dha vazhdimësi fitores ndaj Lecces të arritur para pushimit për kombëtaret. Një gol vendimtar nga i përjetshmi Luka Modriç, që 40 vjeç i mori për dore Rossonerët dhe i dhuroi tre pikë të rëndësishme Djallit.

Notat negative të mbrëmjes milaniste ishin dëmtimet e Mike Maignan dhe të Strahinja Pavlovic, të dy të detyruar të linin fushën prej problemeve muskulare që do të vlerësohen në orët në vijim.

I PËRJETSHMI MODRIC – “Është Milani i Modriç, është Milani i Allegrit”: shkruajnë edhe kolegët e të përditshmes së madhe sportive Corriere della Sera mëngjesin e sotëm, duke lëvduar kampionin kroat jo vetëm për golin e tij të parë me fanellën Rossonere, por mbi të gjitha për lidershipin që tregoi në mesfushë.

Kush mendonte se kishte ardhur te Milan për të bërë “pensionistin” do të duhet ta mendojë edhe një herë atë gjë, sepse edhe 40 vjeç, ka akoma dëshirën për të qenë vendimtar. Goli lindi nga një lojë e tij në mesfushë, e ndjekur nga një vrapim, një hyrje në zonë dhe një goditje perfekte me të djathtën që përfundoi në rrjetën e Bolonjës.

ALLEGRI SHOW – Pas Lecces, Milan mbyll një tjetër ndeshje me clean sheet. Ndikimi i Massimiliano Allegrit tashmë është i dukshëm: formacioni i tij tani është solid, kompakt dhe I ekuilibruar. Skuadra e shpërndarë, që I linte hapësira të gjera e të hapura kundërshtarëve një vit më parë tani është vetëm një kujtim i largët.

Në fund të fundit, që nga dita e parë, trajneri livornez pati deklaruar se objektivi i tij I parë ishte sistemimi i fazës mbrojtëse të Djallit, që gjatë sezonit të kaluar pësonte gola me shumë lehtësi. Në fund të ndeshjes, ndodhi edhe “classic show” I xhaketës së Allegrit që u përjashtua për protesta pasi VARi i hoqi një penallti mjaft të dukshme Rossonerëve.

Trajneri livornez del nga fusha shumë i zemëruar, por më pas, përpara telekamerave paraqitet me një buzëqeshje të madhe: Milani i tij, tani, ka ndezur motorrët.

Share This Article
Pa Komente