Dy Milan-ë dhe një klub i ndarë: Një MILAN që VUAN dhe LUFTON dhe një milan që ËNDËRRON Perth-in

Nga pasioni i rikthyer në fushë te logjika e ftohtë e bilanceve, nga sakrifica sportive te marketingu global: Milani jeton një përçarje të brendshme gjithnjë e më të dukshme. Një klub që në bar dëshiron të fitojë dhe në zyra mendon për Australi, dollarë dhe “internacionalizim”, duke rrezikuar të humbasë thelbin e vet...

Milanistat
8 Min Read

Është një Milan që lufton, vuan, gabon dhe ringrihet. Një Milan që fiton dhe humbet, por gjithmonë duke djersitur fanellën.

Një identitet i copëzuar mes zemrës dhe arkës

Një Milan që ka rigjetur lidhjen me tifozët, me ambientin, me atë emocion të thjeshtë dhe të fuqishëm që quhet përkatësi. Është një Milan që ndoshta nuk garanton trofe, por garanton ndjenja. Garanton përpjekje. Garanton idenë se futbolli është ende garë, sfidë, sakrificë.

Por na qenkërka edhe një tjetër milan. Po, me shkronjë të vogël. Jo për gabim shtypi, por për zgjedhje. Një milan që duket se ende nuk ka kuptuar çfarë do të thotë futbolli, çfarë përfaqëson tifozeria dhe çfarë është dashuria e publikut. Një milan i distancuar, i ftohtë, i shkëputur nga realiteti “banal” i konkurrencës sportive.

Dy botë që bashkëjetojnë në të njëjtin klub. Dy vizione që përplasen. Dhe çdo ditë e më shumë, përplasja bëhet zhurmë.

Një MILAN që lufton: pasion, sakrificë dhe identitet

Ky Milan i parë është ai që shkon përtej limiteve. Që gabon, por përpiqet. Që ndonjëherë bie, por nuk dorëzohet. Është Milani që ka rikthyer entuziazmin në San Siro, që ka rindërtuar një marrëdhënie emocionale me tifozët. Një Milan që ndoshta nuk fiton gjithmonë, por të bën të ndihesh pjesë e diçkaje.

Janë bazat e këtij sporti: pasioni, ndjenja e përkatësisë, dëshira për të konkurruar. Jo premtime boshe, jo slogane marketingu, por djersë dhe identitet. Ky Milan ekziston. Dhe është arsyeja pse tifozët vazhdojnë të besojnë.

milan-i tjetër: futbolli si produkt, jo si ndjenjë

Pastaj është milan-i tjetër. Ai që sheh futbollin si një tabelë Excel. Jo si sport, por si biznes i pastër. Një realitet ku nuk ka rëndësi konkurrenca, por marzhi i fitimit; jo rezultati, por interesi; jo trofeu, por plusvalenca; jo tifozët, por klientët; jo stadiumi, por tregu i huaj.

Të mos bëhemi hipokritë: futbolli modern është edhe kjo. Nuk vijmë nga Hëna. Ky “kontur” ekonomik është i domosdoshëm për të mbajtur gjallë sistemin. Por ka mënyra dhe mënyra për t’ua shitur këtë realitet tifozëve. Të paktën duke krijuar iluzionin se klubi është në të njëjtën anë me ta, se ndan të njëjtat vlera.

Dhe pikërisht këtu, milan-i dështon.

Superkupa dhe Perth-i: problemi nuk është ideja, por koha

Pak minuta para nisjes së një gjysmëfinaleje të Superkupës Italiane – jo një event historik, por gjithsesi një shans për të fituar një trofe – presidenti i Lega Serie A, shpall i kënaqur se Milan–Como do të luhet më 8 shkurt në Perth, me arbitra të federatës aziatike.

Përtej absurditetit total të ngjarjes, problemi i vërtetë është koha. Timing-u. Një dejavu e rrezikshme, që kujton deklaratën e famshme të Scaronit para një Milan–Atalanta, kur u shpreh se pyeste veten pse ishte kaq e nevojshme të luhej Kupa e Italisë. Si një bezdi. Si diçka që nuk sjell fitimet e pritura.

Mesazhi është i qartë: sporti vjen pas bilancit.

Allegri mes diplomacisë dhe realitetit brutal

Massimiliano Allegri, inteligjent dhe politik, e merr lajmin drejtpërdrejt në TV para ndeshjes. Reagimi i tij është një ushtrim i pastër diplomacie: “Nuk di ende asgjë. Shpresoj të jetë pararendëse e së ardhmes së futbollit dhe të mos mbetet një rast i izoluar. Përndryshe, do të ishte problem”.

Përkthimi mes rreshtave është i thjeshtë: nëse duhet bërë, atëherë ta bëjnë të gjithë. Sepse Allegri e di shumë mirë kush komandon vërtet: paraja. Dhe në konferencë e thotë hapur: “Kemi një objektiv shumë më të madh, qenien në katër vendet e para. Championsi është një shpëtim për klubin, sepse sjell para dhe të mundëson të bësh merkato”.

Realpolitikë futbollistike. Pa iluzione.

Australia mu në mes të kampionatit: një sakrificë vetëm për Milanin?

Por kjo çmenduri e udhëtimit në Australi, në mes të kampionatit, me orare të përmbysura, pa tifozët e tu, kundër një kundërshtari të fortë dhe më pas rikthim i menjëhershëm për një tjetër transfertë në Serie A, nuk mund të jetë gjithmonë vetëm problem i Milanit.

Duhet të jetë një “malus” që herët a vonë do t’i prekë të gjithëve. Përndryshe, siç thotë vetë Allegri, bëhet problem serioz.

Kush e deshi vërtet Perth-in?

Lega Serie A dhe Milani ia hedhin topin njëri-tjetrit për autorësinë e idesë australiane, duke theksuar se të gjitha klubet ishin dakord. Ndoshta. Por le të jemi të sinqertë: a e dini kush përfiton realisht?

Interi dhe Napoli, rivalët direktë të Milanit për titullin. Kur tjetër pretendente për scudetto do të pranonte të dëmtonte veten me duart e saj? Përgjigjja është e thjeshtë: vetëm me këtë milan. Jo Milan. milan.

Sporti si detaj dytësor: një ndjesi që po shndërrohet në siguri

Ndjesia se aspekti sportiv është dytësor, në mos tretësor, po bëhet gjithnjë e më e fortë. Dhe nuk ka lidhje me faktin që Milani është i rregullt me llogaritë apo i disiplinuar me Fair Play Financiar. Ato janë bazat e futbollit modern. Problemi është tjetërkund.

Çdo lëvizje, çdo deklaratë, çdo rrjedhje në media forcon bindjen se prioriteti nuk është fusha. Milan–Como në Perth është vetëm qershia mbi tortë: një udhëtim në anën tjetër të botës, në kulmin e luftës për scudetto apo Champions, për 5–6 milionë euro. Fjalët e tjera janë fukarallëk.

Internacionalizimi si justifikim dhe iluzioni i kapelave

Na thuhet se gjithçka është pjesë e një projekti të madh për internacionalizimin e Serie A, i nisur me Superkupën në Arabinë Saudite. E njëjta Arabi ku u fishkëllye minuta e heshtjes për Gigi Rivën. E njëjta Arabi ku stadiumet shpesh mbeten gjysmë bosh, pavarësisht “sold out”-eve të shpallura.

Presidenti i Lega Serie A, i kënaqur, flet për stadiume të mbushura dhe tifozë vendas me kapele të Milanit dhe Napolit. Ja provat e suksesit: kapele. Frytet e internacionalizimit.

Çdo koment tjetër do të ishte i tepërt.

milan, lëre Milanin të jetojë

Ka një Milan që meriton respekt. Dhe ka një milan që rrezikon ta shkatërrojë. Mes pasionit dhe biznesit, mes sportit dhe marketingut, zgjedhja po bëhet gjithnjë e më e qartë. Një lutje e fundit, e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë:
milan, lëre Milanin dhe tifozët e tij të jetojnë të qetë.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article