Pas eliminimit nga Kupa e Italisë, Milani rikthehet në fushë nesër për një ndër ndeshjet e fundit të vitit, përballë Torinos.
Maignan prioritet absolut, por koha po mbaron
E ndërsa tifozët shpresojnë për një reagim të menjëhershëm, në zyrat sekrete të klubit të rrugës Aldo Rossi fryn një erë reflektimi: 2026-a po afron dhe me të edhe dilema e madhe, e ardhmja e Mike Maignan.
Sipas raportimeve, situata vazhdon prej muajsh të tërë të qëndrojë në “standby”. Nuk ka konflikt, nuk ka presion publik, por koha kalon dhe rinovimi mbetet pezull. Një heshtje që peshon si gur në një klub që historikisht ka jetuar pas perdes së polemikave rreth portierëve të tij – nga Dida te Donnarumma, e deri te Maignan.
Tare qetëson për momentin, por me sytë hapur drejt merkatos
Igli Tare e ka thënë hapur disa javë më parë:
“Në fillim të sezonit bëmë një pakt: vazhdojmë bashkë, pa ushtruar presion ndaj njëri-tjetrit.”
Një deklaratë që e qetësoi ambientin, por që nuk e zgjidhi problemin. Sepse pa nënshkrim në letër, e ardhmja e Maignan mbetet një pikëpyetje e madhe. Dhe sa më shumë kalojnë ditët, aq më pak rritet besimi te arritja e rinovimit.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit kanë nisur të analizojnë të gjitha skenarët. Listat janë hapur, raportet po lexohen, dhe krahasimet mes profilit të Maignan dhe alternativave po bëhen çdo ditë më të thella.
Lista e portierëve: nga Caprile te Lunin
Në tavolinë janë vendosur disa emra konkretë, siç shkruan “Tuttosport”:
- Elia Caprile – talent italian, profil i ri dhe perspektivë e gjatë
- Zion Suzuki – portier me rritje të shpejtë, i monitoruar nga disa klube
- Noah Atubolu (Freiburg) – modern, teknikisht i pastër me topin në këmbë
- Andriy Lunin (Real Madrid) – opsioni më i madh, me potencial të menjëhershëm
Nëse ka një emër që tërheq vëmendjen më shumë, ai është Lunin. Portieri ukrainas ka kontratë deri në 2030, çmimi i Real Madridit rrotullohet rreth 25 milionë euro, dhe këtë sezon ka luajtur shumë pak. Para disa vitesh ishte parashikuar si pasuesi i Donnarummës te Milani, por atëherë pista u shua.
Kartat e fshehta: Mendes dhe raportet e mira me Milanin
Sot, gjithçka mund të ndryshojë falë një emri të fuqishëm: Jorge Mendes, agjenti i Lunit dhe, mes të tjerëve, i Pervis Estupinan. Marrëdhëniet e mira të Mendes me Milanin mund të luajnë rol vendimtar në rinisjen e operacionit.
Ka edhe një detaj të rëndësishëm: raporti personal i Lunin me Luka Modriç. Kroati është një lider global, një ambasador në heshtje dhe një kampion që mund të ndikojë në zgjedhjet e lojtarëve të rinj. Në prapaskenë, këto detaje bëjnë diferencën.
Gjithçka varet nga Maignan
Për momentin, në Milano janë ditë reflektimi. Asgjë nuk vendoset para se të kuptohet qartë pozicioni i Mike Maignan. Ai është ende prioritet absolut. Projekti teknik i Milanit ndërtohet mbi të, dhe askush nuk dëshiron të humbasë portierin që ka ndryshuar ADN-në e ekipit në momentet decizive.
Por futbolli është i pamëshirshëm: nëse nuk ka rinovim, klubi duhet të veprojë. Asnjë klub i madh nuk lejon të humbasë një portier të tillë pa përfitim, sidomos kur merkato e janarit dhe ajo e verës ofrojnë alternativa konkrete.
Priten vendime të mëdha
Nesër është Torino–Milan. Në fushë, objektivi është i qartë: të rikthehet ecuria pozitive. Por në zyrat e klubit, ndeshja e vërtetë është tjetër: ajo për të ardhmen e portës kuqezi.
Në vitin 2026 mund të hyjmë me Maignan lider absolut, ose me një portier të ri që mbart në shpinë peshën e trashëgimisë së një miti modern kuqezi.
Në ditët dhe javët e ardhshme, Milani do të vendosë nëse Mike Maignan do të jetë flamuri i vazhdimësisë – apo fillimi i një cikli të ri.
Në futboll, si gjithmonë, koha është kundërshtari më i fortë.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
