Derbi që s’i fal gabimet: Milani në luftë për dinjitet, fuqi dhe dominim!

Milanistat
4 Min Read

Ky nuk është thjesht një derbi i zakonshëm, por testi brutal që do të zbulojë nëse ky Milan ka shtyllë kurrizore, karakter dhe ambicie reale për t’u rikthyer në maje. Në një kohë kur justifikimet nuk vlejnë më, rossonerët duhet të tregojnë se nuk janë më skuadër që i përkul kokën askujt, as para historisë…

Mjaft më me fraza diplomatike. Mjaft me iluzionet “s’është vendimtar”. Sepse, po, ndoshta ky derbi nuk përcakton matematikisht fatin e sezonit, por përcakton shumë më tepër: kush është Milani sot dhe ç’ka ndërmend të jetë nesër.

Pas pushimit të kombëtareve, në një nga të rrallat here ndodh, Milani vjen i plotë, i freskët dhe pa skenarët e zakonshëm të mungesave dramatike. Kjo do të thotë një gjë të thjeshtë: tani s’ka më asnjë justifikim. As për trajnerin, as për lojtarët, as për ndonjë brenda dhomave secrete të klubit. Ky është momenti për të treguar fytyrën e vërtetë, jo atë të një ekipi që dridhet përballë të mëdhenjve, por të një skuadre që synon të rikthejë dominimin në ‘la Skalën’ e futbollit.

Mjaft u fol: tani kërkohet grusht i fortë në fushë

Kuqezinjtë siç duket, deri tani janë mjaftuar me histori të bukura, me plane, me “projekte afatgjata”. Por, tani kërkohet identitet, duhet asfaltim futbollistik, duhet një sinjal të që thotë:
“Ne jemi Milan, jo spektatorë luksi të të tjerëve”.

Dhe për këtë, tingëllon brutale, por është e vërtetë: ose lojtarët e marrin këtë ndeshje personalisht, ose nuk kanë vend në një skuadër që pretendon titullin.

Pulisic dhe Leão nuk mund të jenë thjesht të shpejtë — duhet të jenë të pamëshirshëm. Rabiot nuk mund të jetë vetëm solid — duhet të jetë dominues. Mbrojtja nuk mund të jetë thjesht korrekte — duhet të jetë një mur betoni që nuk çahet kurrë.

Nuk është derbi i pikëve — është derbi i fytyrës

Interi ka fituar disa derbi radhazi këto vjet. Dhe kjo, le ta themi hapur, ka lënë një shije poshtërimi tek tifozët. Nuk bëhet fjalë për matematikë renditjeje; tani bëhet fjalë për krenari. Nëse Milani humb sërish, mesazhi është i thjeshtë: projekti aktual nuk është mjaftueshëm i fortë. Nëse fiton, mesazhi është edhe më i qartë: “E ardhmja fillon sot”.

Allegrit nuk i falet asgjë

Tani që skuadra është thuajse e plotë, tani që nuk ka më justifikime të lodhura, Allegri duhet të tregojë pse është ulur në pankinën e një prej klubeve më të mëdhenj në botë.

Formacioni duhet të jetë trimëror, jo i tërhequr; agresiv, jo reaktiv; i guximshëm, jo konservator.

Por, nëse Milani hyn për të mos humbur, atëherë ka humbur që para fillimit.

Derbi i të vërtetave

Ky derbi është sfida e së vërtetës. E vërteta për projektin. Për trajnerin. Për lojtarët. Për mentalitetin.

Dhe ndoshta e vërteta më e rëndësishme nga të gjitha:

A ka ende ky Milan ADN-në e një klubi që sundon, apo është kthyer në një ekip që shpreson të mos zhgënjejë?


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article