Allegri dhe merkato. Milani mbyll dyert? Një rrezik i madh sportiv dhe financiar që mund të kushtojë përveç Scudettos, edhe Championsin

Deklarata e ftohtë e trajnerit, heshtja e drejtuesve, dëmtime që shumohen dhe rivalë që forcohen: janari i Milanit shndërrohet në një provë përgjegjësie që nuk pranon alibi...

Milanistat
5 Min Read

Ka fjali që duken të thjeshta, por që në realitet bartin peshën e një sezoni të tërë.

Fjalia që peshon si gur

Kur Massimiliano Allegri, në konferencë shtypi, thotë me qetësi: “Skuadra është mirë kështu. E rëndësishme është që të jemi të kënaqur, sidomos unë”, nuk po flet vetëm si trajner. Po vendos një vijë. Po mbyll një derë. Po fik një dritë.

Në janar, kur merkatoja nuk është luks por nevojë, një deklaratë e tillë tingëllon si sinjal alarmi. Sepse Milani i sotëm nuk është ai i vitit 2011. Dhe konteksti i kampionatit aktual është shumë më i pamëshirshëm.

Infermieria plot dhe koha që nuk pret

Realiteti faktik është ky: Pavlovic dhe Füllkrug janë jashtë skuadre. Rikthimi i tyre, sipas Allegrit, mund të ndodhë pas rreth dhjetë ditësh, në transfertën e vështirë të Romës në Olimpico. Gimenez po përshpejton rikuperimin, por në horizont marsi është më realist. Pra, praktikisht, jashtë loje në këtë fazë vendimtare.

Kjo do të thotë rotacione të kufizuara, lodhje e shtuar dhe rrezik konstant për dëmtime të reja. Një situatë që çdo drejtues sportiv do ta lexonte si alarm për ndërhyrje. Çdo drejtues… përveç atyre të Milanit.

Hijet e 2011 dhe një krahasim që nuk qëndron

Krahasimi me merkaton e janarit 2011 ishte e pashmangshme. Por atëherë erdhën Van Bommel dhe Cassano. Dy goditje që ndryshuan fatin e sezonit dhe çuan te Scudetto. Allegri i përmend me respekt, por edhe me një distancë të qartë:
“Arritën dy lojtarë të jashtëzakonshëm. Por kjo nuk do të thotë që këtë vit kemi nevojë për dy lojtarë.”

E përkthyer: mos prisni askënd. Dhe sidomos mos prisni mbrojtësin e premtuar.

Allegri komunikon, drejtuesit vendosin

Duhet thënë qartë: Allegri, në aspektin e komunikimit, është pothuajse i pagabueshëm. Ai flet si një menaxher kompanie, si një figurë që mbron stabilitetin dhe shmang konfliktin publik. Por në këtë rast, nuk është ai qendra e problemit.

Pyetja e vërtetë duhet drejtuar drejt katit të tretë të selisë në via Aldo Rossi. Sepse janë drejtuesit ata që punojnë prej muajsh mbi merkato, që e dinin mirë këtë boshllëk teknik dhe që kishin kohë të ndërhynin.

Një garë Champions gjithnjë e më e egër

Skenari i kampionatit është i qartë dhe nuk pranon interpretime romantike. Interi dhe Napoli duken një nivel më lart. Me dy vendet e para që ngjajnë të blinduara.

Pas tyre, një betejë e pamëshirshme. Juventusi me Spallettin ka rifituar drejtimin dhe po shtrëngon distancat. Roma, edhe pse ka humbur disa objektiva në merkato, i ka dhënë Gasperinit alternativa të rëndësishme në sulm. Dhe pastaj është Como, projekti më i nënvlerësuar, që po rritet pa zhurmë dhe pa angazhime europiane, një avantazh real.

Në këtë kontekst, të mos forcosh skuadrën do të thotë të pranosh rrezikun.

Mbrojtja, nyja e pazgjidhshme

Askush nuk kërkon revolucion. Askush nuk kërkon emra të mëdhenj. Por të paktën një mbrojtës për rotacion, për emergjencë, për logjikë sportive.

Kampionati nuk fal. Dëmtimet dhe skualifikimet janë pjesë e lojës. Dhe kur të ndodhin – sepse do të ndodhin – justifikimet nuk do të mjaftojnë.

Një përgjegjësi e rëndë, pa alibi

Nëse deklarata e Allegrit shërben vetëm për të ulur presionin mbi Furlanin dhe Taren, atëherë loja është e kuptueshme. Por nëse kjo fjali nënkupton realisht se Milani do të shkojë deri në fund me këtë skuadër, atëherë bëhet fjalë për një përgjegjësi shumë të rëndë.

Sepse askush nuk do ta falë humbjen e Champions League për të dytin vit radhazi.

Pyetja e natyrshme: kursim apo humbje?

Thuhet se “nuk ka para”. Në rregull. Por a sjell para mungesa e Championsit? A justifikohet rreziku sportiv me bilance të përkohshme?

Në futboll, si në jetë, mosveprimi është poashtu një zgjedhje. Dhe ndonjëherë, është zgjedhja më e shtrenjtë nga të gjitha.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article