Allegri dhe frika që i vjedh fitoren Milanit: si në Parma, edhe në San Siro i njejti gabim që djeg 2 pikë të arta. Mesazhi i gabuar për kundërshtarët

Si zgjedhje konservatore në momentin më delikat, është sinjali psikologjik që e tërheq Milanin një hap mbrapa: sepse të gjithë e dimë, kur frika për të mos humbur bëhet më e fortë se dëshira për të fituar, kundërshtari ringjallet dhe barazimi kthehet në dënim sportiv...

Milanistat
3 Min Read

Minuta e 60-të në Parma. Milani udhëheq 2-1 dhe ka ende kontrollin emocional të ndeshjes.

NË PARMA, SINJALI I PARË I ALARMIT: KUR SULMI SAKRIFIKOHET PËR MBROJTJEN

Pikërisht në atë çast, Massimiliano Allegri ndërhyn nga stoli: jashtë Christopher Nkunku, brenda Ruben Loftus-Cheek. Një mesfushor në vend të një sulmuesi. Mesazhi që zbret në fushë është i qartë: mbajmë rezultatin, nuk rrezikojmë.

Reagimi i kundërshtarit vjen menjëherë. Vetëm dy minuta më vonë, Del Prato përfiton nga një mbrojtje e tërhequr dhe shënon me kokë golin e barazimit. Një paralajmërim i fortë që, në vend që të shërbente si mësim, mbeti i pakuptuar.

SAN SIRO, NJË DEJA-VU QË DJEG: E NJËJTA ZGJEDHJE, I NJËJTI FUND

Minuta e 72-të në Milan-Sassuolo. Sërish 2-1 për kuqezinjtë, sërish ndeshja duket gati për t’u mbyllur. Sassuolo shtyhet përpara, lë hapësira, rrezikon. Është momenti ideal për goditjen vendimtare. Por Allegri zgjedh përsëri rrugën e njohur.

Del nga loja Christian Pulisic, një nga më të rrezikshmit dhe ende i freskët fizikisht, për t’i lënë vendin Samuele Riccit. Një mesfushor tjetër. Një tjetër mesazh mbrojtës. Në San Siro, kundër Sassuolos, Milani ndalon së menduari për golin e tretë dhe mendon vetëm për të mos pësuar.

Katër minuta më pas, ndëshkimi është i pashmangshëm: barazimi i kundërshtarit.

NJË MESAZH QË DOBËSON SKUADRËN NË VEND QË TA FORCOJË

Ndryshimet nuk janë vetëm taktike, por edhe psikologjike. Ato i flasin skuadrës. Dhe në të dyja rastet, mesazhi i Allegrit ka qenë i gabuar: mbrohu, tërhiqu, prit. Një ftesë e hapur për kundërshtarin që të besojë.

Ironia është se goli i tretë ishte në ajër. Kundër Sassuolos, Milani e kishte gjetur edhe dy herë: njëherë me Pulisic, me një gol të anuluar në mënyrë të pashpjegueshme, dhe më pas me Adrien Rabiot. Hapësirat ekzistonin, kundërshtari ishte i çorganizuar. Por guximi mungoi.

KUJDESI QË SHNDËRROHET NË PROBLEM

Në futboll, prudenca është shpesh virtyt, por po aq shpesh kthehet në kurth. Sidomos për një skuadër si Milani, që ka cilësi teknike dhe individuale për të mbyllur ndeshjet pa u futur në vuajtje të panevojshme.

Duke u tërhequr, Milani humbi intensitetin, humbi presionin dhe mbi të gjitha humbi identitetin. Dhe kur nuk sulmon më, mbrojtja ekspozohet edhe më shumë.

KATËR PIKË TË HUMBURA QË MUND TË PESHOJNË SI GURË

Nga Parma në San Siro, bilanci është i hidhur: dy ndeshje të ngjashme, dy avantazhe të shpërdoruara, dy barazime që lënë shije të keqe. Katër pikë të lëna rrugës, të cilat në fund të sezonit mund të bëjnë diferencën mes suksesit dhe zhgënjimit.

Allegri duhet të reflektojë. Sepse nëse mbrojtja e rezultatit bëhet prioritet mbi fitoren, atëherë rreziku është gjithmonë i njëjtë: të humbasësh pikërisht atë që po përpiqesh të ruash.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article