Alexandre Pato, shkëndija që ndriçoi San Siron: 18 vjet më pare debutim magjik, si u dorëzua Maldini përpara djaloshit rishtar dhe rrëfimi i Cafu për talentin që dukej vetëm fati do ta ndalonte

Pato, 18 vite më parë goli në debutim në Milan–Napoli, rrëfimi i Cafu fjalët për Maldinin: “Në stërvitje na çmendte. Kapiten, shko kape ti”

Milanistat
5 Min Read

Është 13 janari 2008 kur Alexandre Pato bën debutimin e tij me Milanin. Në një mbrëmje të ftohtë të fillimit të vitit, rossonerët presin Napolin në San Siro: braziliani është ende një objekt misterioz, një djalosh me aparat në dhëmbë dhe fytyrë simpatike. Një milingonë mes gjigantëve. Ajo skuadër ishte e mbushur plot me kampionë dhe talent, ndërsa tifozët e Milanit – të rritur në epokën berluskoniane mes havjarit dhe shampanjës – ishin pothuajse të mësuar me bukurinë. Si mund t’i godasësh zemrën një personi që ka gjithçka? Duket e pamundur. Pastaj vjen ai, Pato. Mjafton një prekje, një shkëndijë. Ai talent shpërtheu para të gjithëve 18 vite më parë, krejtësisht i papritur. Dhe ishte dashuri me shikim të parë. Magji.

Kakà–Ronaldo–Pato: çfarë tridenti te Milani!

Ai ishte Milani i Carlo Ancelottit, kampion i Europës dhe i botës. Ndeshja, për kronikë, përfundon me goleada: 5-2. Në fushë ishte një treshe braziliane joreale: Kakà, Ronaldo Fenomeni dhe shumë i riu Pato. Golat u shënuan nga: Ronaldo, Seedorf, sërish Ronaldo, Kakà dhe në fund Pato, goli i tij i parë me fanellën kuqezi, për të mbyllur “manitën”. Një natë që dukej si fillimi i diçkaje të pafundme. Këtë e ka shpjeguar pak kohë më parë, në një podcast, edhe Marcos Cafu, ish-kapiten i Brazilit, kampion absolut dhe ish-shok skuadre i Patos te ai Milan.

Cafu dhe rrëfimi për Paton dhe Maldinin: “Kapiten, shko kape ti”

Kur Cafu flet për Paton, fjalët nuk janë kurrë të lehta. Sepse disa kujtime, te Milani, peshojnë ende. Ka fjali që, edhe pas vitesh, mbeten aty. Dhe bëjnë ende zhurmë. Kur i shqipton Cafu, një që e ka jetuar Milanin nga brenda, me Maldinin dhe Nestën, çdo fjalë bëhet memorie kuqezi.

Kush shkon kundër Patos?

Rrëfimi nis nga Milanello. Stërvitje, një kundër një. Në fushë janë Cafu, Nesta dhe Maldini. Përballë tyre, një djalë sapo i ardhur. “Thoshim: ‘Kush shkon kundër Patos?’”. Është Maldini ai që thyen hezitimin. Si gjithmonë, me natyrshmëri: “Kapiten, shko ti”, thanë të gjithë të tjerët në kor. Fillimisht Cafu, pastaj Nesta. Rreth e rrotull, buzëqeshje dhe duar që lëvizin në ajër, sikur të thonë një gjë të vetme: “Sidoqoftë nuk arrin ta kapësh”. Kishin të drejtë. Cafu e thotë edhe sot me habi: “Vërtet nuk arrije ta kapje”. Pato ndryshonte drejtim rrufe papritmas. Djathtas, majtas. Godiste me të dyja këmbët, gjuante goditjet e dënimit, shënonte me kokë. Por mbi të gjitha kishte një shpërthim shpejtësie shkatërrues, i pamundur ta lexoje. “Kishte një forcë dhe një ndryshim drejtimi që nuk dija si ta ndaloja.” Dhe ndërsa të kalonte, kishte edhe kohë të buzëqeshte: “Kur të kalonte, përshëndeste Maldinin”.

Ajo fjali që peshon si një gur i rëndë

Pastaj vjen deklarata që peshon më shumë se të gjitha. Cafu e përsërit edhe sot, kudo: “Kur erdhi te Milani i thashë Serginhos: ‘Sulmuesi më i madh brazilian që kam parë ndonjëherë është këtu përballë nesh. Është Alexandre Pato’”. Një fjali e jashtëzakonshme. E thënë nga dikush që ka njohur legjenda të vërteta. Një profeci e trishtë, sepse ai talent zgjati pak, i shkatërruar nga dëmtimet dhe nga një brishtësi fizike e mallkuar. Sa shumë bukuri që kemi humbur!

Cafu: “Rrija aty dhe e shikoja”. Pato, çfarë pengu!

Fjalët e Cafusë sot nxjerrin në pah një ndjenjë të përbashkët për shumë milanistë: të kesh parë diçka të veçantë, edhe pse për shumë pak kohë. Pato ishte instinkt, shpejtësi, buzëqeshje. Ishte ai lojtar që, në stërvitje, bënte të tundnin kokën edhe Maldini e Nesta. “Unë qëndroja aty dhe e shikoja,” thotë Cafu. Dhe ndoshta mjafton kjo. Futbolli ndryshon. Kujtimet jo. Dhe kur një si Cafu thotë se askush nuk e kapte, Alexandre Pato mbetet aty: në zemrën e atyre që ishin dhe në kujtesën e atyre që dinë të njohin talentin e vërtetë.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article