Është një javë e rëndë në shtëpinë kuqezi. Barazimi që la shije të hidhur kundër Comos dhe më pas rrëshqitja ndaj Parmës kanë ngadalësuar vrullin e Milanit dhe e kanë çuar skuadrën në -10 nga Interi i drejtuar nga Cristian Chivu. Scudetto duket gjithnjë e më larg. Tani prioriteti është i qartë: mbrojtja e vendit të dytë dhe blindimi i kualifikimit në Champions League.
Nuk ka kohë për keqardhje. Reagimi duhet të jetë i menjëhershëm. Massimiliano Allegri e di se sezoni nuk fal. Përpara është një seri ndeshjesh që do të tregojnë nëse ky Milan ka ende karburant për sprintin final.
Cremonese për të rifituar besimin, pastaj “malorja” e madhe
Rruga nis këtë të diel në transfertë ndaj Cremoneses. Një test që në letër duket i përballueshëm, por që në realitet fsheh kurthe. Allegri shpreson të rikuperojë elementë kyç si Gabbia dhe Gimenez për të rikthyer stabilitetin në mbrojtje dhe peshën në sulm. Fitorja është detyrim, jo vetëm për klasifikimin, por për moralin.
Por prova e vërtetë nis menjëherë pas kësaj sfide. Më 8 mars vjen derbi kundër Inter, ndeshja që mund të “rishkruajë ose mbyllë përfundimisht çdo diskutim”. Derbi nuk është thjesht një përballje qyteti: është një barometër force, karakteri dhe ambicieje.
Pas Interit, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Romës për t’u përballur me Lazio. Një tjetër sfidë e tensionuar, në një stadium ku presioni ndihet në çdo prekje topi. Dhe sikur të mos mjaftonte, në fundjavën e 21-22 marsit në “San Siro” zbarkon Torino, skuadër gjithmonë e rrezikshme dhe fizike.
Pesë ndeshje në pak javë, një kalendar që nuk bën zbritje për askënd.
Derbi, Napoli dhe pesha e pikëve që vlejnë dyfish
Në javën e Pashkëve, Milani do të mbyllë këtë cikël ferri me transfertën në “Maradona” kundër Napoli. Një sfidë që historikisht ka prodhuar emocione dhe tension. Do të jetë kulmi i një periudhe ku çdo pikë do të peshojë si një gur i rëndë në bilancin sezonal.
Tre big match në një muaj: Inter, Lazio dhe Napoli. Në mes, sfida që nuk duhen nënvlerësuar. Ky është momenti i së vërtetës.
Allegri është thirrur të gjejë zgjidhje të reja. Ideja e “double play” me Jashari dhe Modric ka dhënë sinjale interesante, duke rritur qarkullimin e topit dhe kreativitetin. Milan ka nevojë për më shumë fluiditet, sepse në daljet e fundit manovra ka qenë e parashikueshme dhe pa shkëndijë.
Presioni është maksimal, por edhe motivimi duhet të jetë i tillë. Klubi kërkon reagim krenarie, për të nderuar fanellën dhe për të ruajtur pozicionin mes më të mirëve.
Kalendari deri në Pashkë është një provim karakteri. Milan duhet të tregojë se zhgënjimi ndaj Comos dhe Parmës ishte vetëm një rrëshqitje, jo fillimi i një rënieje. Në këtë fazë të sezonit, nuk fiton vetëm ai që luan më bukur, por ai që gabon më pak.
Rikthimi nis në Cremona. Pastaj vjen derbi. Pastaj malorja. Çdo ndeshje si finale. Çdo pikë si ar. Dhe në fund, përgjigjja për pyetjen që tani qëndron pezull mbi qiellin kuqezi: a është ky Milan gati për të mbrojtur vendin mes elitës?
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
