Skandali i arbitrimit, polemikat dhe shansi i humbur: Milani mes padrejtësisë dhe zhgënjimit

Barazimi më i fundit i kushton kuqezinjve në garën për titull, kanë shpërthyer fuqishëm edhe debatet për arbitrimin dhe sjelljet antisportive, ndërsa Leao shpëtoi nderin e skuadrës mes heshtjes së drejtuesve dhe pritshmërive ndaj Nkunku

Milanistat
6 Min Read
milan vs komo
milan vs komo

Milani doli nga përballja e mesjavës me Comon me një ndjesi të hidhur që shkon përtej rezultatit. Jo sepse kuqezinjtë konsideroheshin favoritë absolutë për titullin, as sepse kjo skuadër shihej si e ndërtuar për të dominuar kampionatin. Por sepse futbolli shpesh të jep mundësi të papritura dhe detyra e një klubi të madh është t’i kapë ato. Dhe përballë skuadrës së drejtuar nga Cesc Fabregas, Milani kishte në dorë një rast të artë për të rihapur skenarët e garës.

Një fitore do të kishte ndryshuar shumë. Dëmtimi i Lautaro Martínez tek Interi dhe angazhimet europiane që presin zikaltërit mund të kishin lënë pasoja në kampionat. Një presion i shtuar mbi rivalët direktë do ta kishte rindezur ëndrrën, sado të vështirë. Në vend të kësaj, mbeti zhgënjimi dhe ndjesia se u humb një tren që nuk kalon shpesh.

Sot objektivi i Milanit duket më realist: sigurimi i një vendi në Champions League. Puna e bërë deri tani dhe pozicionimi në renditje nuk janë për t’u hedhur poshtë. Ky është “viti zero” me Massimiliano Allegrin në stol, një sezon rindërtimi dhe stabilizimi. Premtimi është që sezoni i ardhshëm të nisë me ambicie reale për të luftuar deri në fund për titullin.

Arbitrimi dhe hija e padrejtësisë

Megjithatë, ajo që ndezi më shumë debat pas ndeshjes ishte mënyra se si u menaxhuan episodet kyçe. Pas skandalit të bujshëm në përballjen Inter–Juventus fundjavën e kaluar, edhe kjo javë prodhoi situata të diskutueshme. Rasti i Van der Brempt ndaj Pavlovic ishte i qartë për karton të kuq, por mbrojtësi nuk u ndëshkua as me të verdhë. Një vendim që ngriti pikëpyetje të mëdha.

Menaxhimi i kartonëve në një ndeshje të tillë bën diferencën. Një karton i kuq ndryshon dinamikën, hap hapësira dhe shpesh vendos fatin e takimit. Në një kampionat të gjatë, këto episode përkthehen në pikë – ndoshta jo të matshme me saktësi si një penallti, por vendimtare në bilanc.

E pabesueshme u konsiderua edhe sjellja e Fabregas, i cili ndërhyri në mënyrë të papërshtatshme duke penguar një lojtar kundërshtar në fushë. Një skenë e rrallë dhe e papranueshme në nivele të tilla, por që kaloi pa pasoja serioze disiplinore. Në të njëjtën kohë, Bastoni dhe vetë Fabregas mbetën të pandëshkuar, ndërsa Kalulu dhe Allegri u sanksionuan. Kontrasti i vendimeve krijoi perceptimin e një standardi të dyfishtë.

Ndjenja që mbizotëron në ambientin kuqezi është ajo e padrejtësisë. Një klub që ndjen se jo vetëm humbi një mundësi sportive, por edhe se nuk u trajtua me barazi. Heshtja e drejtuesve pas ndeshjes u interpretua nga disa si elegancë institucionale, nga të tjerë si mungesë reagimi në një moment kur kërkohej zë i fortë.

Leao mban peshën, Nkunku në provë

Në mesin e polemikave, një emër vazhdon të jetë në qendër të kritikave: Rafael Leao. Prej kohësh ekziston një “gjueti” ndaj portugezit, ku çdo paraqitje analizohet me lupë. Në të kaluarën mund të diskutohej për qëndrimin e tij në fushë, por këtë sezon situata është ndryshe. Në një vit të rëndësishëm me Kupën e Botës në horizont, shumë lojtarë do të kishin zgjedhur të ruanin energjitë për të shmangur dëmtime. Leao jo.

Tetë gola në këto kushte janë një shifër domethënëse. Ai ka luajtur shpesh mes problemeve fizike, duke vendosur skuadrën përpara interesit personal. Mes tij dhe performancës ideale qëndron një mur i lartë: gjendja fizike. Por përkushtimi nuk ka munguar.

Ndryshe paraqitet situata për Christopher Nkunku. Për francezin justifikimet janë konsumuar. Ambientimi është tejkaluar, gjendja fizike nuk përbën më alibi. Nga një lojtar me cilësitë e tij pritet ndikim i drejtpërdrejtë në ndeshje të mëdha, vendosmëri dhe vazhdimësi. Milani ka nevojë për më shumë prej tij në fazën vendimtare të sezonit.

Një sezon mes realitetit dhe ambicies

Milani gjendet në një udhëkryq emocional. Nga njëra anë, vetëdija se titulli ishte gjithmonë një objektiv i vështirë; nga ana tjetër, ndjesia se mund të ishte provuar më fort, se mundësia ekzistonte. Polemikat e arbitrimit shtojnë kripë mbi plagë, ndërsa performancat individuale mbeten nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Objektivi Champions mbetet jetik, si për prestigjin ashtu edhe për projektin teknik. “Viti zero” me Allegrin duhet të shërbejë si bazë për një rilindje të plotë. Por për ta bërë këtë, Milani duhet të lërë pas ndjenjën e të qenit “i dëmtuar dyfish” dhe të kthejë zemërimin në energji pozitive.

Sepse në fund, kampionatet nuk fitohen me ankesa, por me forcë dhe vazhdimësi. Dhe koha për të treguar karakter është tani.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article