Në një sezon ku mungesa e kupave evropiane rëndon si një gur mbi arkën e klubit, Milani gjen oksigjen në treg. Jo në fushë, por në kolona financiare. Jo me gola, por me plusvalenca. Sezoni 2025/26 do të mbahet mend si ai i rekordit historik: 91.7 milionë euro fitime kapitale nga shitjet, sipas vlerësimeve të “Calcio e Finanza”. Një shifër që mund të rritet edhe më tej, nëse finalizohen operacione të tjera deri në fund të sezonit.
Është paradoksi modern i futbollit italian: mungon Champions-i, por bilanci buzëqesh. Rreth 80 milionë euro më pak nga çmimet e UEFA-s dhe të ardhurat e stadiumit? Po. Por klubi kuqezi ka arritur të kompensojë me një strategji të saktë merkatoje, duke tejkaluar çdo rekord të mëparshëm në historinë e tij.
Shifrat e një rekordi që thyen historinë
Në krye të listës së operacioneve që kanë gjeneruar më shumë plusvalencë qëndron shitja e Malick Thiaw, me pak më shumë se 32 milionë euro fitim kapital. Një lëvizje e studiuar, e menduar për të balancuar llogaritë dhe për të ruajtur fleksibilitetin financiar.
Pas tij, në vendin e dytë, transferimi i Theo Hernandez te Al-Hilal, që ka prodhuar 22.1 milionë euro plusvalencë. Një lamtumirë e dhimbshme për tifozët, por një injeksion i fuqishëm për arkat e klubit.
Në podium ngjitet edhe operacioni që përfshin Alex Jimenez, me mbi 15 milionë euro fitim. Rasti i tij ka një specifikë: plusvalenca llogaritet mbi shumën totale të inkasuar nga Milani, ndërsa më pas në kosto përfshihet detyrimi ndaj Real Madrid për përqindjen e rishitjes, sipas marrëveshjes me “Los Blancos”. Një operacion teknik, por që dëshmon sofistikimin financiar të klubit.
Në këtë panoramë hyjnë edhe rikthimet definitive: ai i Pobega te Bologna dhe operacione të tjera të mbyllura pas janarit, që kanë konsoliduar një sezon të jashtëzakonshëm në aspektin e plusvalencave.
Një rekord që vjen nga larg
Nëse shifrat konfirmohen në bilancin që do të mbyllet më 30 qershor 2026, Milani do të thyejë një rekord që qëndronte prej sezonit 2001/02, kur u regjistruan 78 milionë euro plusvalenca, falë shitjeve të Francesco Coco dhe Umit Davala tek Inter.
Në podiumin historik qëndron edhe viti 2009, ai i lamtumirës së Kaka drejt Real Madrid, një transferim që shënoi një epokë. Në “top 5” hyjnë gjithashtu sezoni 2024/25 – me largimin e Tijjani Reijnders drejt Madridit – dhe viti 2012, i shënuar nga ndarjet e dhimbshme me Thiago Silva dhe Zlatan Ibrahimovic, që morën rrugën e Parisit.
Historia përsëritet, por me një ndryshim thelbësor: sot plusvalencat nuk janë vetëm pasojë e nevojës, por pjesë e një modeli të qëndrueshëm menaxhimi.
Strategjia pas numrave
Ky Milan nuk improvizon. Ai planifikon. Mungesa e kupave evropiane ka imponuar një ristrukturim të kujdesshëm. Objektivi ka qenë i qartë: ruajtja e stabilitetit financiar pa sakrifikuar konkurrueshmërinë afatgjatë.
Plusvalencat prej 91.7 milionë eurosh nuk janë thjesht një rekord; janë një deklaratë force në një sezon tranzicioni. Dhe shifra mund të rritet nëse konkretizohet edhe operacioni i Samuel Chukwueze me Fulham, që do të sillte një tjetër kapitull pozitiv në bilanc.
Mes emocioneve dhe aritmetikës
Në fund, futbolli mbetet emocion. Tifozët kujtojnë golat e Theo-s, sprintet e Kakà-s, karizmën e Ibrahimovic. Por në zyrat e klubit, emocionet përkthehen në numra. Dhe këtë herë, numrat flasin qartë: Milani ka ndërtuar sezonin më fitimprurës në historinë e tij për sa i përket plusvalencave.
Është një triumf i heshtur, larg dritave të stadiumit, por me peshë strategjike për të ardhmen. Sepse në epokën moderne, titujt fitohen në fushë, por mbijetesa dhe ambicia ndërtohen në bilanc.
Dhe Milani, në vitin pa Champions, ka zgjedhur të fitojë ndryshe.
OPERACIONET
Këto janë operacionet në dalje të Milanit me plusvalencat përkatëse në këtë sezon:
- Malick Thiaw al Newcastle: 32,2 milionë euro
- Theo Hernandez all’Al-Hilal: 22,1 milionë euro
- Alex Jimenez al Bournemouth: 15,5 milionë euro
- Noah Okafor al Leeds: 9,7 milionë euro
- Tommaso Pobega al Bologna: 7 milionë euro
- Yacine Adli all’Al Shabab: 5,1 milionë euro
TOTAL: 91,7 milionë euro
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
