Polemikat janë arkivuar. Zhurma e krijuar pas asaj që ndodhi në Inter-Juventus ka mbetur pas shpine, bashkë me debatet e zjarrta mes tifozëve kuqezi. Tani është koha për përqendrim absolut. Sepse e mërkura në mbrëmje nuk është një ndeshje e zakonshme. Në “San Siro” zbret Como i drejtuar nga Cesc Fabregas, një kundërshtar që vjen me uri, me krenari të prekur pas humbjes në shtëpi ndaj Fiorentinës dhe me dëshirën për të provuar se filozofia e tij e futbollit është më moderne, më e guximshme, madje – siç la të kuptohej pas ndeshjes së fazës së parë – më e avancuar konceptualisht se ajo e Max Allegri-t.
Por sikur të mos mjaftonte presioni i një përballjeje që mund të quhet gjithçka përveçse e lehtë, Milani duhet të bëjë llogaritë me një mungesë të rëndë. Adrien Rabiot, “stalloni” i mesfushës, do ta ndjekë sfidën nga tribuna. Ammonimi i marrë javën e kaluar, i pasuar nga kartoni i dytë për protesta, e detyron francezin – që ishte në prag skualifikimi – të ndalet pikërisht në momentin më delikat.
Është një goditje e fortë. Rabiot nuk është vetëm një titullar i zakonshëm: është balanca, forca, personaliteti. Është lojtari që në ndeshjen e parë kundër Comos ishte “match winner” me një dopietë spektakolare. Tani ai do të mungojë, por historia e këtij sezoni ka treguar se Milani, sa herë është vënë përballë një mungese të rëndësishme, ka gjetur gjithmonë një mënyrë për të reaguar.
SFIDA NË SAN SIRO
Në këtë kontekst, figura e Max Allegri-t bëhet qendrore. “Komandanti” ka një aftësi të rrallë: të shndërrojë nevojën në virtyt. Ta relativizojë problemin për të mbrojtur skuadrën. Pas fitores së vuajtur në Pisa, kur u pyet për mungesën e Rabiot për të mërkurën, ai buzëqeshi dhe tha: “Më mirë kështu, ka nevojë për pushim”.
Asnjë ankesë. Asnjë lot. Asnjë polemikë për një ndërhyrje të lehtë që solli kartonin e diskutueshëm. Vetëm një batutë për të ulur tensionin dhe për të mbajtur të qetë ambientin në Milanello. Natyrisht, Allegri e di shumë mirë se mungesa e Rabiot peshon. E di se do t’i mungojë një nga shtyllat e mesfushës. Por ai e di gjithashtu se një trajner i madh duhet të transmetojë siguri, sidomos kur rrethanat përpiqen të të destabilizojnë.
Në sfond qëndron edhe përballja ideologjike me Fabregas. Një duel mes përvojës pragmatike dhe entuziazmit filozofik. Como do të vijë për të dominuar me topin, për të imponuar stilin e vet. Milani duhet të përgjigjet me inteligjencë, me ritëm dhe me vendosmërinë që ka treguar në momentet më të vështira të sezonit.
RICCI, LOFTUS-CHEEK APO JASHARI? DILEMA E MESFUSHËS
Në fushë, pyetja është një: kush do ta zëvendësojë Rabiot? Opsionet janë të paktën tre dhe secila ka logjikën e vet.
Zgjidhja më e mundshme quhet Samuele Ricci. Një lojtar për të cilin flitet pak, por që sa herë futet në fushë, sjell besueshmëri, personalitet dhe iniciativë. Në Pisa kaloi pothuajse në heshtje asistimi i tij për Luka Modric: i shtrirë në tokë, me një prekje inteligjente, i hapi rrugën kroatit drejt portës për golin vendimtar me të jashtmen magjike. Një detaj që tregon sa i rëndësishëm mund të jetë në mekanizmin e mesfushës. Me të, linja do të kompletohej natyrshëm përkrah Modric dhe Fofana.
Alternativa e dytë është Loftus-Cheek. Anglezi pëlqehet shumë nga Allegri, edhe pse në pjesën e parë në Pisa u kritikua për lëvizje të pakta në zonën sulmuese. Duke luajtur me fizikën dhe forcën e tij, trajneri mund ta tërheqë në mesfushë – roli i tij natyral – dhe të shtyjë më përpara një nga Leao ose Pulisic si sulmues i dytë. Një zgjedhje më agresive, më e guximshme.
Opsioni i tretë është Ardon Jashari. Zvicerani është provuar shpesh si organizator loje, por mund të interpretojë edhe rolin e mesfushorit të brendshëm. Është alternativa më pak e mundshme, por jo për t’u përjashtuar. Allegri shpesh ka surprizuar me zgjedhje që në letër dukeshin dytësore, por që në fushë rezultuan vendimtare. E mërkura do të jetë një provë karakteri. Pa Rabiot, por jo pa ambicie. Pa “stallonin”, por me një grup që ka mësuar të mos dorëzohet. Në “San Siro” nuk do të luhet vetëm një ndeshje: do të matet forca e një skuadre që, edhe kur i mungon një pjesë e rëndësishme, kërkon të tregojë se shpirti i saj është më i madh se çdo pengesë.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
