Milani po lëviz në heshtje, por me vendosmëri. Në zyrat e klubit kuqezi është ndezur drita jeshile për një operacion që mund të ndryshojë fytyrën e mesfushës në sezonin e ardhshëm. Emri që po qarkullon me forcë është ai i Leon Goretzka-s, një nga mesfushorët më të kompletuar të futbollit europian, i cili do të largohet nga Bayern Munich në fund të sezonit si lojtar i lirë.
Kontrata e tij skadon më 30 qershor dhe rinovimi nuk do të ndodhë – një vendim i bërë publik si nga klubi bavarez, ashtu edhe nga vetë lojtari. Për këtë arsye, 29-vjeçari gjerman është në kërkim të një aventure të re. Dhe Milani sheh një mundësi të artë për ta sjellë në “San Siro” pa paguar karton.
Lëvizja nuk është spontane. Sipas burimeve pranë klubit, kontaktet e para me agjentët e Goretzka-s janë vendosur që në merkaton e dimrit. Atëherë Bayern nuk pranoi ta lironte menjëherë, por kuqezinjtë kanë vazhduar të monitorojnë situatën me kujdes, duke përgatitur terrenin për verën.
Drejtori sportiv Igli Tare është njeriu që po shtyn fort për këtë operacion. Objektivi është i qartë: t’i dhurojë Massimiliano Allegrit një mesfushor me eksperiencë ndërkombëtare, fizik, inteligjent taktikisht dhe me mentalitet fitues – pikërisht profili që i duhet Milanit për të synuar rikthimin e qëndrueshëm në Europë, idealisht në Champions League.
Sprinti kuqezi dhe sfida me Atlético Madridin
Por rruga drejt Goretzka-s nuk është e lirë. Në horizont qëndron një rivale e fortë si Atlético Madrid. Klubi spanjoll kishte tentuar ta transferonte që në orët e fundit të merkatos së dimrit, madje duke paraqitur një ofertë konkrete për ta marrë menjëherë. Bayern nuk e pranoi, por interesimi i “Los Colchoneros” mbetet i gjallë.
Pikërisht për këtë arsye Milani kërkon të përshpejtojë. Ideja është ta “bllokojë” lojtarin sa më shpejt, duke arritur një marrëveshje paraprake për sezonin e ardhshëm dhe duke shmangur një ankand të hapur mes klubeve europiane.
Avantazhi i kuqezinjve qëndron në faktin se janë lëvizur herët. Kontaktet e hershme me përfaqësuesit e futbollistit mund të rezultojnë vendimtare në momentin final. Tare synon të bindë Goretzka-n me projektin sportiv të Milanit dhe me rolin qendror që do të kishte në skemat e Allegrit.
Sepse nëse Milani arrin të sigurojë një vend në kupat europiane – veçanërisht në Champions – oferta bëhet akoma më tërheqëse. Një klub historik, një kampionat konkurrues dhe një rol protagonisti: këto janë kartat që po luan drejtuesi shqiptar në këtë negociatë delikate.
Profili i liderit që i mungon mesfushës
Leon Goretzka nuk është thjesht një mesfushor tjetër në treg. I lindur në vitin 1995, me eksperienca te Schalke 04 dhe Bochum përpara se të shpërthente me Bayern Munich, ai ka ndërtuar një karrierë të rëndësishme si në nivel klubi, ashtu edhe me kombëtaren gjermane.
Këtë sezon, me fanellën e Bayern, ka regjistruar 29 paraqitje në të gjitha kompeticionet: 18 në Bundesliga, 6 në Champions League, 4 në Kupën e Gjermanisë dhe 1 në Superkupë. Në total ka grumbulluar 1.365 minuta në fushë dhe ka realizuar një gol në kampionat.
Statistikat nuk tregojnë gjithçka për të. Goretzka është një mesfushor “box-to-box”, i aftë të ndërtojë lojën, të ndërhyjë fort në fazën mbrojtëse dhe të futet në zonë me kohën e duhur. Fiziku i tij imponues dhe përvoja në nivelet më të larta e bëjnë një profil ideal për një skuadër që synon të rritet në mentalitet dhe ambicie.
Për Allegrin, një lojtar i tillë do të ishte thelbësor për të zgjatur rotacionin dhe për të garantuar cilësi në ndeshjet e mëdha. Rikthimi në Europë kërkon një organikë më të thellë dhe më të fortë. Dhe Goretzka përfaqëson pikërisht atë përforcim që mund të bëjë diferencën.
Merkatoja e verës është ende larg, por Milani ka vendosur të mos presë. Operacioni Goretzka mund të kthehet në goditjen simbol të një projekti të ri kuqezi: inteligjent financiarisht, ambicioz sportivisht dhe i orientuar drejt rikthimit në majat e futbollit europian.
Nëse marrëveshja realizohet, “San Siro” do të përshëndesë një emër të madh me parametër zero – një sinjal i fortë se Djalli po përgatitet të rikthehet me zë të lartë në skenën ndërkombëtare.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
