Merkato Milan, Djalli nuk i ndahet Premier League, Tare në gjueti për “skifterët” e mbrojtjes. Gjithçka që kemi mësuar mbi lëvizjet më të fundit të kuqezinjve

Nga Mario Gila te emra të bujshëm si Kim, Skriniar, Stones, madhe edhe Maguire – kuqezinjtë po projektojnë një merkato të zjarrtë me nga dy përforcime për çdo repart. Me Allegrin që kërkon lojtarë gati për betejë dhe drejtuesit që lëvizin në heshtje, Milani po ndërton themelet e një rikthimi të madh në elitën europiane…

Milanistat
6 Min Read
tare me top

Edhe pse merkatoja e dimrit sapo ka mbyllur dyert, në shtëpinë e Milanit askush nuk ka kohë për pushim. Në zyrat e klubit kuqezi po punohet me intensitet për verën e ardhshme, aty ku pritet një ndërhyrje e thellë në organikë për të ngritur skuadrën në një tjetër nivel. Administratori i deleguar Giorgio Furlani, drejtori teknik Geoffrey Moncada dhe drejtori sportiv Igli Tare kanë nisur prej javësh kontaktet dhe sondazhet për të konkretizuar goditje të rëndësishme në fund të sezonit.

Objektivi është i qartë: një Milan më i fortë, më i thellë dhe më konkurrues, me synimin për t’u rikthyer me autoritet në Champions League. Por që ky plan të marrë formë, duhet një revolucion i menduar mirë – veçanërisht në mbrojtje, aty ku Allegri kërkon stabilitet, përvojë dhe personalitet.

Dy përforcime për çdo repart: projekti i ri kuqezi

Strategjia e Tares dhe Allegrit për verën 2026 është ambicioze: të paktën dy afrime për çdo repart, përveç portës ku nuk priten ndryshime. Në mbrojtje, mesfushë dhe sulm do të ketë lëvizje të rëndësishme, ndërkohë që disa emra janë vendosur në listën e largimeve. Youssouf Fofana dhe Santiago Gimenez mund të jenë pjesë e sakrificave për të balancuar financat dhe për të krijuar hapësirë për investime të reja.

Në rast se largohet një nga anësorët – me vëmendjen e përqendruar te zhgënjimi i sezonit Pervis Estupinian – Milani do të kërkojë një lojtar krahu cilësor, i aftë të luajë në të dyja krahët për t’i dhënë frymëmarrje Alexis Saelemaekers dhe Davide Bartesaghi.

Por prioritet absolut mbetet qendra e mbrojtjes.

Mario Gila dhe pista italiane: siguri me “bekimin” e Allegrit

Një nga emrat më konkretë është ai i Mario Gila, mbrojtësit spanjoll të Lazios, i lindur në vitin 2000. Kontrata e tij skadon në vitin 2027 dhe rinovimi me bardhekaltërit duket i largët. Igli Tare e njeh mirë lojtarin, pasi ishte pikërisht ai që e transferoi te Lazio në vitin 2022.

Kontakte direkte mes Furlanit dhe presidentit Claudio Lotito kanë nisur prej javësh dhe çmimi i kartonit sillet rreth 20 milionë euro. Një shifër e konsideruar e arsyeshme për një qendërmbrojtës tashmë të konsoliduar në Serie A dhe që gëzon miratimin e plotë të Allegrit.

Por Gila nuk mjafton. Trajneri kuqezi kërkon edhe një tjetër emër të fortë. Federico Gatti është në listën e preferencave, por Juventusi nuk duket i gatshëm të hapë negociata. Nëse pista bardhezi mbyllet, Milani do të hidhet drejt alternativave ndërkombëtare.

Kim, Skriniar dhe profili i liderit menjëherë të gatshëm

Në vizionin e Allegrit, mbrojtja duhet të ketë një lider me eksperiencë, një lojtar në kulmin e karrierës që garanton impakt të menjëhershëm. Emra si Kim Min-Jae dhe Milan Skriniar përputhen me këtë profil.

Kim, ish-ylli i Napolit dhe aktualisht në dalje nga Bayern Munich, do të ishte një goditje spektakolare – por vetëm nëse bavarezët kontribuojnë në pagën e lartë të koreanojugorit. Skriniar, nga ana tjetër, sot te Fenerbahce, është një tjetër objektiv që pëlqehet shumë nga Allegri. Një 30-vjeçar me përvojë europiane, i aftë të japë siguri dhe karakter në ndeshjet e mëdha.

Ideja është e qartë: një Milan që synon jo vetëm të konfirmohet në elitën e Serie A, por të rikthehet në Champions League me ambicie reale.

Premier League, dy pista “zero kosto” që tronditin Europën

Surpriza më e madhe vjen nga Anglia. Tare ka hapur dy kanale preferenciale në Premier League dhe emrat që qarkullojnë janë të bujshëm: John Stones i Manchester Cityt dhe Harry Maguire i Manchester United.

Të dy anglezë, të lindur respektivisht në 1994 dhe 1993, pritet të mbyllin aventurën e tyre në Angli në fund të sezonit. Kontratat e tyre skadojnë më 30 qershor, çka do të thotë se Milani mund t’i afrojë me parametër zero – një mundësi e artë për të siguruar përvojë ndërkombëtare pa shpenzim për kartonin.

Stones, me elegancën dhe aftësinë për të ndërtuar lojën nga prapa, përfaqëson profilin modern të mbrojtësit. Maguire, më fizik dhe dominues në ajër, do të sillte forcë dhe prezencë në zonë. Të dy mund të jenë zgjidhje ideale për dy sezone “konsolidimi” në majat e futbollit italian dhe europian.

Milani, për një herë, nuk është i fokusuar vetëm te një lojtar i Chelsea-t – siç ndodh shpesh në zërat e merkatos – por madje përflitet për një “derbi të Manchesterit” në versionin kuqezi, me objektivin për t’i rrëmbyer njërin nga dy shtyllat e futbollit anglez.

Vera pritet të jetë e nxehtë në Milano. Me një projekt të qartë, me Allegrin që kërkon garanci dhe me Taren që lëviz në heshtje në tregun europian, Milani po ndërton një mur të ri mbrojtës për të rikthyer frikën në Serie A dhe respektin në Champions League.

Revolucioni ka nisur. Dhe sinjalet tregojnë se do të jetë një nga merkatot më të bujshme të viteve të fundit për Djallin kuqezi.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article