Merkatoja e verës duket ende larg në kalendar, por jo në mendjet e drejtuesve të Milanit. Në Via Aldo Rossi, mes planeve sportive dhe bilanceve financiare, po merr formë një skenar jashtëzakonisht interesant: rreth 60 milionë euro janë gati të hyjnë në arkat kuqezi falë riscatteve të disa lojtarëve të huazuar. Një shifër e rëndësishme, që nuk do të shërbejë vetëm për të “marrë frymë” financiarisht, por që pritet të riinvestohet plotësisht për të forcuar skuadrën e Massimiliano Allegrit në sezonin e ardhshëm. Nga talentët e rinj te emrat që kanë rilindur larg Milanellos, mozaiku i merkatos po kompletohet gradualisht.
Jimenez, baza e thesarit: 20 milionë që hapin rrugën
Një pjesë e konsiderueshme e këtij “tesari” është tashmë e garantuar. Sipas raportimeve, Bournemouth do të ushtrojë së shpejti të drejtën e blerjes për Alex Jimenez. Mbrojtësi i lindur në vitin 2005 do të transferohet përfundimisht në Angli për 20 milionë euro, shifër që i shtohet edhe 2 milionëve të arkëtuara nga huazimi i verës së kaluar.
Është e vërtetë që jo e gjithë kjo shumë do të përfundojë në arkën e Milanit, pasi Real Madridi zotëron 50% të kartonit në rast rishitjeje, por edhe kështu, operacioni përfaqëson një plusvalencë të rëndësishme dhe një shembull perfekt të strategjisë kuqezi: zhvillim, valorizim dhe shitje inteligjente.
Pobega dhe Colombo, miliona që varen nga fusha
Pas Jimenez, radha është e riscatteve të tjera që duken pothuajse të sigurta. Tommaso Pobega është një prej tyre: mjafton edhe një pikë e vetme e Bologna-s nga tani deri në fund të kampionatit që të aktivizohet pagesa prej 7 milionë eurosh për kartonin e mesfushorit italian. Një operacion i thjeshtë, por shumë i vlefshëm për bilancin.
Situatë e ngjashme edhe për Lorenzo Colombo. Sulmuesi ka arritur tashmë objektivat individualë të parashikuar në kontratë, ndërsa gjithçka lidhet tani me mbijetesën e Genoa-s, një synim mëse i arritshëm për skuadrën e drejtuar nga De Rossi. Në këtë rast, Milani pret rreth 10 milionë euro të tjera.
Chukwueze, pista angleze dhe jackpot-i i mundshëm
Një kapitull më vete meriton Samuel Chukwueze. Nigeriani po bën paraqitje shumë pozitive te Fulham dhe klubi anglez po e vlerëson seriozisht blerjen përfundimtare të kartonit të tij. Nga ambienti i lojtarit filtron optimizëm dhe, nëse operacioni mbyllet, Milani mund të arkëtojë rreth 30 milionë euro.
Një shifër që do ta çonte totalin e shpagimeve shumë pranë kuotës 60 milionë euro, duke i dhënë klubit një fuqi të madhe manovruese për merkato.
E ardhmja e merkatos
Nga Pobega te Jimenez, nga Colombo te Chukwueze, Milani po ndërton të ardhmen edhe përmes operacioneve larg reflektorëve. Shpagime që duken “normale”, por që në fund të sezonit mund të kthehen në një armë të fuqishme për të rilançuar ambiciet sportive. Arka po mbushet dhe në klubin e rrugës Aldo Rossi po mendojnë tashmë se si ta shndërrojnë këtë kapital në një Milan edhe më të fortë.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
