Allegri predikon maturi, renditja bërtet titull: Milani sfidon hijen e Interit dhe rikthen fantazmat e lavdishme të Scudettove historikë

Trajneri ul entuziazmin dhe flet për Champions, por shifrat, precedentët dhe kalendari tregojnë një Diall që është më shumë se kurrë në garë për titullin, mes tensioni, disipline dhe ëndrrës që po merr formë...

Milanistat
6 Min Read
alegri duartroket

Massimiliano Allegri vazhdon të luajë rolin e kujdestarit të qetësisë. Flet pak për majën, shumë për distancën nga vendi i pestë, predikon durim dhe përpiqet të frenojë çdo shpërthim entuziazmi. Por futbolli, si gjithmonë, ka një mënyrë të vetën për të nxjerrë të vërtetat në sipërfaqe. Dhe në këtë sezon, pas 23 javësh kampionat, renditja po flet më fort se çdo konferencë për shtyp. Milani ka mbërritur në kuotën e 50 pikëve, është vetëm pesë pikë larg Interit kryesues dhe ka ende derbin e kthimit për të luajtur. Një situatë që nuk përputhet plotësisht me narrativën e kujdesshme të trajnerit, por që rikthen në mendje kapituj të lavdishëm të historisë kuqezi.

Sepse në Milano, shifrat nuk janë kurrë neutrale. Ato peshojnë, krahasohen dhe zgjojnë kujtime. Dhe këto 50 pikë, në këtë pikë të sezonit, nuk janë thjesht statistikë: janë një sinjal i fortë.

Pesëdhjetë pikë që zgjojnë historinë kuqezi

Në historinë e Milanit, arritja e 50 pikëve pas 23 ndeshjesh ka ndodhur vetëm dy herë. Dhe në të dyja rastet, sezoni u mbyll me Scudetton në gjoks. Herën e parë në vitin 1995-1996, me Fabio Capellon në stol, pikërisht me 50 pikë në këtë fazë. Herën e dytë në 2003-2004, me Carlo Ancelottin, kur kuqezinjtë madje kishin shkuar në 58 pikë. Kampionate me 18 skuadra, një kontekst i ndryshëm, por një përfundim i njëjtë: titulli kampion.

Edhe Stefano Pioli, në sezonin e artë 2021-2022, nuk arriti ta prekë këtë shifër kaq herët, duke u ndalur në 49 pikë. Sot, Milani i Allegrit ka bërë një hap më shumë. Dallimi i madh? Atëherë Capello dhe Ancelotti ishin në krye të renditjes. Sot, Allegri ndjek. Ndjek Interin e Cristian Chivut, duke e pasur përpara vetëm pesë pikë dhe me përballjen direkte ende në kalendar.

Një situatë që kërkon jo vetëm cilësi teknike, por edhe një menaxhim perfekt psikologjik. Dhe pikërisht këtu hyn filozofia e trajnerit livornez.

Allegri, tension i kontrolluar dhe nerva titulli

Episodi me Pervis Estupiñán në Bologna është shumë më domethënës nga sa duket. Ndeshja ishte e mbyllur, rezultati i sigurt, por dy prekje me taka të panevojshme mjaftuan për ta bërë Allegrin të shpërthente. Qortimi publik dhe fjalia e prerë – “Nuk jemi një nga ato skuadra që luajnë me taka” – janë manifesti i një trajneri që nuk toleron asnjë shpërqendrim.

Nuk është thjesht çështje stili loje. Është mentalitet. Është frika se edhe një detaj i vogël mund të kthehet në precedent të rrezikshëm. Allegri e di se titujt fitohen edhe duke eliminuar të panevojshmen, duke ruajtur përqendrimin maksimal, duke mos dhuruar asgjë, as kur gjithçka duket e lehtë.

Në thelb, ky nervozizëm tradhton diçka më të thellë: besimin real se Milani është në garë për Scudetto. Edhe kur fjalët thonë tjetër gjë.

Renditja tradhton kujdesin: Interi afër, Roma larg

Narrativa zyrtare flet për +7 nga vendi i pestë, për Champions League si objektiv minimal dhe për një kampionat ende të gjatë. Por shifrat janë kokëforta: Milani është më afër Interit kryesues sesa Romës që ndjek nga pas. Një fakt që ndryshon perceptimin e sezonit.

Derbi i kthimit mund të jetë pika e kthesës. Një fitore do ta rihapte gjithçka, një humbje do ta ndërlikonte ndjeshëm garën. Por deri atëherë, Milani ka një avantazh të madh: luan vetëm një herë në javë.

Kalendari, aleati i heshtur i Milanit

Pa impenjime europiane, Milani mund të përqendrohet totalisht në kampionat. Një luks që Interi nuk e ka. Për një skuadër me një organikë jo shumë të gjatë, kjo mund të bëjë diferencën në muajt vendimtarë.

Edhe detaje logjistike kanë marrë rëndësi. Vendimi që Milan–Como të luhet në San Siro dhe jo në Perth ka qenë një lehtësim i madh për Allegrin. Një udhëtim interkontinental i shmangur, tensione të panevojshme të evituara, fokus maksimal i ruajtur. Në një sezon ku edhe një episod i vogël mjafton për të ndryshuar ekuilibrat, çdo zgjedhje ka peshë.

Massimiliano Allegri vazhdon të frenojë, të ulë tonet dhe të flasë për objektiva të ndërmjetëm. Por renditja po ecën më shpejt se fjalët. Me 50 pikë pas 23 javësh, me precedentë historikë që buzëqeshin dhe me një distancë ende të rikuperueshme me kreun, Milani është realisht në garë për Scudetto. E pranon ose jo trajneri, Djalli ka rimarrë aromën e titullit. Dhe kur historia, shifrat dhe fusha ecin në të njëjtin drejtim, është e vështirë të mos shikosh hënën, edhe kur tregon gishtin diku tjetër…


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article