Milani mbyll gojët dhe hap ëndrrat: 50 pikë, triumf autoritar dhe një Djall që sfidon rendin e vjetër të Serie A

Fitore e pastër, futboll i fortë, konkret dhe spektakolar, Allegri blindon Championsin, rilind Nkunku. Milani mëson të ecë mes ambicies dhe përulësisë, me sytë nga maji

Milanistat
4 Min Read
alegri e pe

Ka ndeshje që vlejnë më shumë se tri pikë. Ka mbrëmje që peshojnë si një deklaratë identiteti. Dhe pastaj ka fitore si ajo e Milanit në Bologna, që shërbejnë për të ribërë hierarkitë, për të heshtur zhurmën dhe për të rikthyer rendin. Ndërsa jashtë vazhdon kori i kritikëve, shpesh për inerci apo për modë, brenda botës kuqezi mbretëron qetësia e atij që e di se po punon drejt. Fitorja 0-3 në “Renato Dall’Ara” nuk ishte vetëm bindëse në rezultat, por edhe në formë, në ide, në autoritet. Një sukses i rrallë për mënyrën si u ndërtua dhe si u administrua, që e çon Milanin në kuotën 50 pikë dhe i jep frymëmarrje të pastër dhjetë ditëve të pauzës së detyruar, në pritje të një finale sezoni që premton emocione të forta.

Ky është Milani i Massimiliano Allegrit: i rregullt, cinik kur duhet, por edhe i bukur kur i jepet hapësira. Një skuadër që nuk jeton nga sloganet, por nga numrat. Dhe numrat, sot, flasin qartë.

Një fitore që peshon dyfish: klasifikimi dhe mesazhi për rivalët

Të fitosh 0-3 në Bologna, në një stadium të vështirë dhe kundër një skuadre të organizuar, nuk është kurrë e zakonshme. Ta bësh këtë duke dominuar lojën, është edhe më domethënëse. Me këto tri pikë, Milani shkon në 50 dhe krijon një hendek të rëndësishëm: +4 ndaj Napolit të Antonio Contes, që tashmë nuk ka më alibi kalendarike; +5 ndaj Juventusit të ringjallur nga Luciano Spalletti; +7 ndaj Romës së gjithmonë të rrezikshme të Giampiero Gasperinit.

Po Interi? Po, është përpara me 5 pikë. Por objektivi jetik i Milanit këtë sezon ka një emër të qartë dhe tingëllues: Champions League. Kthimi në kompeticionin më prestigjioz europian është prioritet absolut, ëndrra që Allegri dhe lojtarët e tij mezi presin ta rilojnë.

Allegri dhe arti i durimit: ambicie e kontrolluar, hap pas hapi

Të flasësh për Scudetto sot duket e madhe, ndoshta e parakohshme. Por jo e pamundur. Çelësi do të jetë marsi, momenti kur pranvera fillon të zbulojë fytyrat e vërteta të skuadrave. Deri atëherë, Milani zgjedh rrugën më të vështirë dhe më të mençur: ndeshje pas ndeshjeje, pa fluturime, pa panik.

Allegri e di mirë se në një sezon kaq të balancuar, edhe një barazim apo një humbje e vetme mund të ndryshojë gjithçka. Prandaj rendi brenda është po aq i rëndësishëm sa zhurma jashtë është e parëndësishme.

Nkunku rilind: Bologna në ekstazë, Milani gjen bomberin

Në “Dall’Ara” u pa edhe një tjetër Milan: ai i Christopher Nkunku. Një performancë që shpjegon më mirë se çdo fjalë deklaratën e tij gjatë merkatos së dimrit: “Unë nuk lëviz”. Një sulmues me mbi 100 gola në karrierë nuk harron si trajtohet topi dhe si bëhet diferenca.

Penalltia e fituar dhe i shndërruar në gol ishte një moment kyç, një goditje e rëndë për ndeshjen dhe për moralin. Nëse ky është Nkunku i vërtetë, atëherë Milani ka një armë shtesë të nivelit të lartë.

Leao, Pulisic dhe 1.350 minutat e së vërtetës

Milani ka mësuar të fitojë edhe pa duon e tij kryesore ofensive. Leao dhe Pulisic shpesh mungojnë ose luajnë të kufizuar nga probleme fizike jo serioze, por penguese. Rikthimi i tyre në formën maksimale do të thotë një nivel tjetër futbolli.

Kanë mbetur 15 ndeshje, 1.350 minuta që do të gjykojnë gjithçka. Siç do të thoshte dikush për një kauzë shumë më të madhe: We have a dream. Dhe ky Milan, sot, ka arsye të besojë se mund ta realizojë.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article